SHBA: “Remdesivir”, ilaçi ndihmon në trajtimin e pacientëve me Covid-19

AKTUALITET


Administrata amerikane për Ushqimin dhe Ilaçet, autorizoi për përdorim emergjent, ilaçin antiviral eksperimental “Remdesivir” për trajtimin e pacientëve me Covid-19.

Vendimi i hap rrugën përdorimit të gjerë të medikamentit të prodhuar nga kompania “GileadScience” në spitalet rreth Shteteve të Bashkuara. Gjatë një takimi në zyrën ovale në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump dhe shefi ekzekutiv i kompanisë Daniel O’Day , e cilësuan këtë si një hap të rëndësishëm dhe thanë se Gilead do të dhuronte 1.5 milionë doza të ilaçit për të ndihmuar pacientët.

Donacioni pritet të jetë i mjaftueshëm për të paktën 140 mijë pacientë, në varësi të numrit të ditëve që nevojitet trajtimi. Gilead tha të mërkurën, se ilaçi, i cili injektohet në mënyrë intravenoze, ka ndihmuar në përmirësimin e gjendjes së personave të prekur me Covid-19. Kompania siguroi të dhëna që sugjerojnë se ilaçi funksiononte më mirë kur i jepej pacientit që në fazat e hershme të infeksionit. Ndërsa shumë vende vazhdojnë të vuajnë si pasojë e pandemisë, interesi për medikamentin ka qenë i lartë pasi nuk ka ende një kurë të aprovuar apo vaksina parandaluese. Mjekët janë të dëshpëruar për çdo gjë që mund të pengojë avancimin e virusit që sulmon mushkëritë e që mund të bllokojë funksionin e organeve të tjera, në rastet më ekstreme.



Skip to toolbar