Integrimi, Rama: Të gatshëm të hapim këtë faqe të re me shumë detyra e sfida

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është më afër objektivit madhor për të qenë vend i Bashkimit Evropian por pranoi se para ka ende detyra e sfida.

Nga tryeza e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Rama tha se jemi të gatshëm për të hapur një faqe të re që kërkon dhe bashkëpunim, me synimin për ta bërë Shqipërinë një shtet me standardet e BE-së.

“11 vite pas aplikimit të bërë dhe 6 vite pas marrjes të statusit kandidat jemi të gatshëm të hapim këtë faqe të re e cila si i gjithë libri i shumëvëllimshëm i procesit të integrimit është një faqe me më shumë detyra, me më shumë sfida dhe patjetër kërkon dhe më shumë energji dhe më shumë bashkëpunim mes nesh. Por një gjë mund të thuhet pa asnjë ngurrim, që kur e shohim procesin me vështrim përpara jemi ende larg objektivit të madh kombëtar të anëtarësimit në BE por kur e kthejmë kokën pas shohim pa shumë vështirësi që jemi shumë më afër sot se sa ishim qoftë dhe një vit më parë, le më pastaj 5 apo 11 vite më parë. Ky është një proces që ne na duhet si drita dhe si uji njeriut për të bërë Shqipërinë një vend, një shtet me standardet e BE-së. Nuk është një proces se na i kërkon Brukseli, Berlini, Parisi apo gjithë bota bashkë por është një proces që e bëjmë se e kërkon e ardhmja e fëmijëve tanë dhe nuk diskutohet që në thelbin e vet është një proces shtetformimi në funksion të ngritjes së institucioneve dhe të një sistemi të tërë që i korrespondon vlerave, parimeve dhe ligjësive të BE-së”, deklaroi Rama.



Skip to toolbar