Rama: Akuzat baltosin të gjithë shqiptarinë. Serbinë e bombardoi bota demokratike, jo Thaçi e Veselin

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ia ka kushtuar sot fjalën e tij në Kuvend akuzave të ngritura ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Shefi i qeverisë tha se pretendimet në fjalë sfidojnë edhe vetë imagjinatën më ekstreme.

Ai i cilësoi të akuzuarit si dy figura historike të luftës dhe paqes në Kosovë. Duke kritikuar tekstin e njoftimit, Rama tha se i ngjan një fletërrufeje të revolucionit kulturor kinez. Rama u shpreh se njoftimi i Hagës godet shumë më përtej dy emrave të përvetshëm.

“Nuk hidhet baltë thjeshtë mbi Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. As vetëm mbi UÇK. Por mbi krejt Kosovën dhe shqiptarinë. Duket sikur flitet për atdheun e agresorëve dhe jo për vendin e viktimave” – tha Rama.

I kam lexuar edhe ata që e mbështesin në emër të nevojës për drejtësi dhe dua të besoj që duke mos qenë as nga Kosova dhe as nga Shqipëria, nuk kanë mundur ta ndjejnë sesa thellë dhe padrejtësisht ato fjalë të hedhura në eterin e botës dixhitale prekin dhe prekin për faktin se tashmë udhëheqësit e UCK-së janë thuajse të tërë, them thuajse për të mos lënë padrejtësisht jashtë si udhëheqës ndonjërin, të akuzuar në 21 vite me radhë si individë me dy koka, që nga një anë kanë udhëhequr luftën apo shtetndërtimin dhe nga tjetra kanë ngrënë njerëz, fëmijë, romë, si kanibalë.

Përballë historisë as Hashim Thaci, as Veseli dhe as Haradinaj, në 21 vite, si vetë UCK në tërësi nuk kanë nevojë për asnjë mbrojtje publike, sepse përtej kësaj tërkuze të një gjyqësie eksperimentale ndërkombëtare, ata janë vendosur në anën e drejtë të historisë dhe e kanë bërë atë vetë.

Historinë e pandashme të asaj pjesë të kombit shqiptar që quhet Kosovë. Është falë tyre që u trondit ndërgjegja e fjetur e perëndimit demokratik në raport me Kosovën” tha Rama.

I ashpër me palën serbe, por edhe ndërkombëtarët, është treguar sot kryeministri i Shqipërisë gjatë fjalës së tij.

Edi Rama tha se Kosova po trajtohet padrejtësisht si vend agresor, duke akuzuar udhëheqësit e luftës së saj bazuar në imagjinatë.

Rama kujtoi se Serbinë nuk e bombardoi UÇK, por NATO.

“Serbinë e bombardoi bota demokratike, jo Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. E bombarduan sepse ishte ajo agresorja” – tha Rama në Kuvend.



Skip to toolbar