Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka marrë vendim ditën e sotme për çështjen në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Samir Tahiri.
Apeli ka vendosur që çështja të kthehet për rigjykim nga e para, duke prishur kështu vendimin e dhënë nga shkalla e parë e gjyqësorit.
Prokuroria kërkoi dënimin me 12 vite burg për ish-ministrin, dënim të cilin e kishte kërkuar edhe në shkallën e parë.
Pas vendimit Tahiri deklaroi për mediat se nuk e priste një vendim të tillë.
“Mendoja se pas tre vitesh historia do merrte një drejtim cilido qoftë. Rikthimi në pikën zero, është padrejtësi. Nëse ka një njeri tjetër të tillë që zvarritet kështu gjykatave, më vjen ndot dhe turp për detyrën si ministër dhe deputet që kam mbajtur. Është e pakuptimtë për mua që të vazhdojë më”, u shpreh Tahiri.
Ish-ministri tha se nuk ka asnjë emocion politik, përveç domosdoshmërisë për ti shkuar deri në fund drejtësisë që kërkon.
“Beteja fillon nga e para, Gjykata e Lartë nuk funksionon. Më duket e qartë si drita e diellit se zvarritja është padrejtësi. Drejtësia e vonuar është padrejtësi”, deklaroi ai.
Ai shtoi se vendimi i sotëm është një padrejtësi më shumë. Tahiri u shpreh para gazetarëve se do ta vijojë betejën.
“I lirë ose jo, unë do ta vijoj betejën timë. Kam kusuret e mia në politikë, por kurrë nuk kam bërë faj” – tha Saimir Tahiri.
Duke iu referuar luftës ndaj kanabisit, ai thumboi pasardhësit e tij në detyrë.
“Kam bërë aq sa s’kanë bërë të tjerët të gjithë bashkë. Mbase s’duhet të isha aq transparent për rezultatet, nuk e di” – tha ish-ministri
Saimir Tahiri është akuzuar si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë dhe se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal.
Ish-ministri u shpall fajtor dhe u dënua në shkallën e parë, vetëm për shpërdorim detyre me 3 vite e 4 muaj shërbim prove, duke u akuzuar se nuk kishte marrë masa për parandalimin e kanabizimit të vendit dhe nën akuzën e përfshirjes së efektivëve të policisë në këtë aktivitet kriminal.