Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka qenë në Korçë, ku ka takuar funksionarë të Policisë së Shtetit.
Në këtë ceremoni, Lleshaj është pyetur edhe për akuzat e opozitës, se Gjovalin Lokaj ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Lleshaj ka thënë se mban përgjegjësi për emërimin e Lokës, duke shtuar se vlerëson maksimalisht punën e tij.
“Mbaj përgjegjësi për emërimin e Gjovalin Lokës si drejtor në Policinë e Shtetit.
Unë e kam emëruar dhe mbaj përgjegjësi për të dhe kam vlerësimet maksimale për punën e tij. Akuzave të opozitës nuk iu përgjigjem”, ka deklaruar Lleshaj.
Deklarata u bë në Korçë, ku ministri Lleshaj mori pjesë në prezantimin e forcave të reja policore që janë shtuar në radhët e policisë kufitare, forcave shqiponja të cilat u shtuan me 50 efektivë të rinj.
Partia Demokratike akuzoi drejtorin e Departamentit të Sigurisë Publike Gjovalin Lokën se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Kjo akuzë është vërtetuar nga ana e Komisionit të Vlerësimit të vettingut në polici, por Loka u konfirmua në detyrë, pasi u tha se ai nuk ka firmosur asnjë dokument për sa kohë ka mbajtur poste në Sigurim.