Policia i zë pritë trafikantit që lëvizte nga Zall-Bastari ja çfarë iu sekuestrua

AKTUALITET


Policia e Tiranës i është vënë nga pas një 27-vjeçari që lëvizte nga Zall-Bastari në drejtim të Tiranës pas informacioneve të marra se i riu transportonte lëndë narkotike.

Pasi e kanë ndalur, policia i ka gjetur një sasi kanabisi, ndërsa gjatë kontrollit në banesë të riut iu gjet edhe një arsenal armësh.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një 27-vjeçar merrej me shitjen e lëndëve narkotike dhe lëvizte me mjet nga Zall-Bastari në drejtim të Tiranës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, zhvilluan operacionin antidrogë të koduar “Shupali”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi Ibrahim Xheleti, 27 vjeç, banues në Zall-Bastar.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin po qarkullonte ky shtetas, në vendin e quajtur “Ura e Shupalit” dhe më pas në banesën e tij në Zall-Bastar, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 50 kg me lëndë të dyshuar cannabis sativa, 2 armë gjahu (çifte), municion luftarak, fitila zjarrpërcjellës, 1 automjet, 2 aparate celular dhe objekte që përdoren për kultivimin, tharjen dhe përgatitjen e lëndës narkotike.

Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, ”Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.



Skip to toolbar