Kryeministri Edi Rama komentoi sot situatën ekonomike dhe programin e rindërtimit. Në një konferencë për mediat, Rama tha se deri një ditë para 26 nëntorit projeksionet e ekonomisë shqiptare ishin shumë pozitive, papunësia e cila për vitin 2019 ishte më e ulëta në rajonin tonë me 11%, pritej të shkonte dhe më poshtë, borxhi në trajektore rënëse nën 65%, investimet e huaja dhe turizmi falë rritjes së mëtejshme të turistëve të huaj patjetër do të kishin një impakt të shtuar.
Sipas tij, gjithçka ndryshoi me tërmetin e parë të 26 nëntorit dhe me tërmetin e dytë, virusin COVID-19, por konferenca e donatorëve si dhe paketat e shpëtimit në periudhën e karantinës së përgjithshme kanë ndihmuar që sot nëse mund të kishim kaluar lehtësisht në -10% të PBB, presim të kufizohemi në më pak se 4.5%.
“Rindërtimi një proces që përtej faktit që do të rikthejë në shtëpi të gjitha familjet e prekura nga tragjedia e 26 nëntorit dhe do të kthejë në shkollat e tyre tërësisht të reja të gjithë nxënësit dhe mësuesit që sot vazhdojnë të kryejnë procesin e mësimdhënies në shkolla të tjera, ka dhe një impakt të padyshimtë ekonomik që i vjen në ndihmë vendit dhe njerëzve në këtë periudhë të vështirë nga COVID.
Deri një ditë para tërmetit, projeksionet e ekonomisë shqiptare ishin shumë pozitive, duke iu referuar shifrave zyrtare dhe të konfirmuara nga institucionet financiare, papunësia e cila për vitin 2019 ishte më e ulëta në rajonin tonë me 11% pritej të shkonte dhe më poshtë, borxhi në trajektore rënëse nën 65%, investimet e huaja dhe turizmi falë rritjes së mëtejshme të turistëve të huaj patjetër do të kishin një impakt të shtuar por gjithçka ndryshoi me tërmetin e parë të 26 nëntorit dhe me tërmetin e dytë, virusin COVID-19.
Sidoqoftë masat e marra nga qeveria në të dy drejtimet, konferenca jashtëzakonisht e suksesshme në Bruksel e donatorëve që na çliroi përfundimisht nga ankthi se do të na duhej të spostonim krejtësisht gjithçka nga pikëpamja financiare tek rindërtimit duke lënë mënjanë çdo investim tjetër si dhe paketat e shpëtimit në periudhën e karantinës së përgjithshme kanë ndihmuar që sot mund të themi pa frikë tanimë, duke parë dhe rezultatet pasuese të periudhës pasuese nëse mund të kishim kaluar lehtësisht në -10% të PBB, presim të kufizohemi në më pak se 4.5%. Nuk është pak si parandalim”, deklaroi Rama.