“Migrimi në përgjithësi, i të rinjve dhe intelektualëve nga Shqipëria në veçanti, po merr gjithnjë e më shumë tiparet e largimit masiv të trurit, kostoja e të cilit mund të jetë fatale për vendin dhe kombin në të ardhmen. Ndaj duhet një reflektim nga e gjithë klasa politike dhe shoqëria jonë, për t’i thënë ndal shpopullimit të Shqipërisë, rikthimit të besimit në rradhë të parë tek të rinjtë dhe të rejat për të ardhmen europiane të vendit tonë.” keshtu u shpreh presidenti Ilir Meta ne ceremoninë e mbajtur në Presidencë, ku vlerësoi studiuesin e mirënjohur të emigracionit shqiptar, Profesor Russell King, me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”, me motivacionin: “Në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e tij disavjeçare kërkimore-shkencore në studime, botime dhe konferenca ndërkombëtare, duke u renditur si një nga studiuesit më të njohur në fushën e emigracionit shqiptar në Evropë. Në vlerësim të punës së tij të palodhur për sensibilizimin e të rinjve, studentëve dhe studiuesve shqiptarë e të huaj ndaj këtij fenomeni shoqëror, çështje e rëndësishme për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj”.
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar të pranishmëve në ceremoninë solemne të dekorimit, Presidenti i Republikës u shpreh:
“Duke filluar nga viti 1990, Shqipëria ka njohur një nga proceset më të mëdha bashkëkohore migratore dhe, në rast se i referohemi shifrave zyrtare, thuajse mbi gjysma e popullsisë aktuale të vendit ka emigruar.
Këto shifra e rendisin Shqipërinë në vendet e para të botës për numrin total të emigrantëve, në raport me popullsinë në vend dhe padyshim përbëjnë një shqetësim të madh kombëtar dhe shoqëror.
Është e njohur se migrimi është i motivuar nga varfëria, papunësia, paqëndrueshmëria politike, pasiguria dhe mungesa e përgjithshme e perspektivave.
Por në kushtet e vendit tonë ka dhe arsye të tjera të cilat po e shndërrojnë këtë fenomen në një gangrenë sociale dhe veçanërisht për të rinjtë si rritja e korrupsionit, mungesa e shëndetësisë cilësore, mungesa e shtetit të së drejtës dhe të barabartë për të gjithë, përjashtimi social dhe poralizimi, rritja e mosbesimit ndaj politikës dhe konfliktualiteti, mos ushtrimi i së drejtës së votës, dhe mungesa e llogaridhënies së institucioneve ndaj qytetarëve.
Të rinjtë po përballen me mungesën e vendeve të reja të punës dhe meritokracisë për punësim.
Të rinjtë e perceptojnë gjendjen si të pandryshueshme dhe të papërballueshme, dhe dita ditës po braktisin vendin duke u shkëputur nga familja dhe rrethi shoqëror, si dhe nga atdheu i tyre.
Ata e kanë të pamundur për të realizuar ëndrrat e tyre, për të rritur dhe shfrytëzuar aftësitë e tyre, për të marrë pjesë në jetën demokratike.
Të rinjtë janë në një krizë të thellë besimi.
Sipas raportit të Zyrës së Mbështetjes së Azilit Europian të muajit gusht 2020, numri i azilkërkuesve për herë të parë nga Shqipëria për periudhën korrik 2018 deri në korrik të vitit 2020 ka arritur në 34135 persona. Kjo shifër është mjaft e lartë krahasuar me vendet e rajonit ku përkatësisht nga Serbia janë 6893 azilkërkues, nga Kosova 5530, nga Maqedonia e Veriut 4858, nga Bosnja Hercogovina 2447 dhe nga Mali i Zi 426 azilkërkues.
Një krahasim është i domosdoshëm për të parë intensitetin e azilkërkuesve për 1000 banorë të vendit tonë me vendet e rajonit.
Shqipëria ka një numër azil kërkuesish për periudhën dyvjeçare korrik 2018 – korrik 2020 rreth 18.4 herë më të lartë se Bosnja, 17.4 herë më të lartë se Mali i Zi, 12 herë më i lartë se Serbia, 5.1 herë më i lartë se Maqedonia e Veriut, dhe 3.9 herë më i lartë se Kosova.
Nëqoftëse në 1000 banorë sot emigrojnë në Bashkimin Evropian nga Shqipëria rreth 12 persona, nga Kosova emigrojnë 3.3 persona, nga Maqedonia e Veriut 2.3 persona, nga Serbia 1 person, nga Mali i Zi 0.7 persona dhe nga Bosnja Hercogovina 0.6 persona.
Pjesa më e madhe e atyre që po ikin janë të rinj. Të dhënat e EUROSTAT-it bëjnë të ditur rreth 78% e totalit të aplikimeve, janë nën moshën 34 vjeç.
Po ashtu është shumë lartë edhe shifra e azilkërkuesve të grupmoshës 18-34 vjeç, si dhe të moshës 17-18 vjeç.
Kjo është dhe duhet konsideruar një alarm pse jo dhe një fatkeqësi kombëtare, nëse vazhdon dhe një ditë më shumë.
Sot kam nderin që në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë disavjeçare kërkimore-shkencore në studime, botime dhe konferenca ndërkombëtare, t’i akordoj Profesor Russell King titullin për merita të veçanta civile, si një nga studjuesit më të njohur në fushën e migracionit shqiptar në Evropë.
Ky dekorim është një vlerësim i punës tuaj të palodhur Profesor King, për sensibilizimin e të rinjve, studentëve, pedagogëve dhe studjuesve shqiptarë e të huaj, ndaj këtij fenomeni social, çështje mjaft jetike për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj.
Prof.Russell King, i Universitetit të Sussex-it në Mbretërinë e Bashkuar, ka një aktivitet të gjerë shkencor të shtrirë në dekada dhe është i vlerësuar nga qarqet shkencore brenda dhe jashtë Mbretërisë së Bashkuar, si një nga studjuesit më të njohur në botë në fushën e migracionit. Prof. Russell King është një nga njohësit më të mirë mbi problematikën e migracionit shqiptar, duke udhëhequr studime dhe doktoratura në këtë fushë.
Përmasat dhe intensiteti i proçeseve migratore, format dhe modelet e ndryshme të tij, kanë qenë të tilla që Prof. Russell King e quan Shqipërinë ‘një laborator në studimin e proceseve migratore’.
Studimet e fundit të Prof. Russell King tregojnë se migrimi potencial nga Shqipëria është rritur dhe aktualisht 52% e popullsisë në vendin tonë nga mosha 18 deri 40 vjeç, dëshirojnë të migrojnë nga vendi duke ndikuar drejtpërdrejtë në shpopullimin e vendit, sidomos përsa i takon pjesës më aktive. Sipas këtyre studimeve pavarësisht se faktorët ekonomikë mbizotërojnë, faktorë të rinj, siç janë ‘arsimimi i fëmijëve’ dhe ‘mungesa e perspektivës në vend’ janë shfaqur.
Struktura socio-demografike e flukseve të migracionit tregon se dëshirojnë të migrojnë nga Shqipëria aktualisht edhe më të arsimuarit, më të kualifikuarit, të punësuarit dhe ata me të ardhura të mesme e të larta.
Kjo padyshim do të ketë pasoja shumë negative në zvogëlimin e kapitalit human të vendit dhe do të zbehë konkurrueshmërinë e vendit.
Sipas shifrave të UNESCO-s Shqipëria në 2017 kishte rreth 17.000 studentë që studionin jashtë vendit.
Këto shifra, nga pikëpamja absolute, e vendosin Shqipërinë në krye të vendeve të rajonit, ndërsa nga pikpamja relative, në raport me popullsinë, e vendosin ndër vendet e para të botës.
Nga njëra anë, studimi i të rinjve shqiptarë jashtë është një fenomen pozitiv, sepse kanë krijuar një diasporë shkencore, e cila është rritur dhe zhvilluar nga pikëpamja sasiore dhe cilësore.
Studimet e Profesor King tregojnë se janë disa mijë të rinj shqiptarë që kanë kryer PhD në universitetet e BE-së dhe të SHBA-ve dhe thuajse 62% e tyre punojnë në universitetet, laboratorët dhe institucionet shkencore të këtyre vëndeve. Ata përbëjnë një potencial të madh për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Por, pyetja që shtrohet sot është, sa përqind e tyre dëshirojnë të kthehen në vendlindje pas përfundimit të studimeve?
Edhe këtu rezultatet janë tepër dekurajuese dhe alarmuese.
Sipas vrojtimeve 94% e tyre duan të qëndrojnë në vendet ku kanë studiuar jashtë dhe jo të kthehen në vendin tonë.
Ky nivel kaq i lartë i migrimit potencial, vërehet edhe në universitetet e vendit ku thuajse 79% e rinisë universitare dëshiron të emigrojë pas studimeve.
Rrjedhimisht, si pasojë e këtij emigrimi, Shqipëria po humbet kapitalin e saj më të çmuar, atë human dhe në rradhë të parë të rinjtë e talentuar dhe të mirëarsimuar në universitetet brenda dhe jashtë vendit.
Migrimi në përgjithësi, i të rinjve dhe intelektualëve nga Shqipëria në veçanti, po merr gjithnjë e më shumë tiparet e largimit masiv të trurit, kostoja e të cilit mund të jetë fatale për vendin dhe kombin në të ardhmen. Ndaj duhet një reflektim nga e gjithë klasa politike dhe shoqëria jonë, për t’i thënë ndal shpopullimit të Shqipërisë, rikthimit të besimit në rradhë të parë tek të rinjtë dhe të rejat për të ardhmen europiane të vendit tonë.
Faleminderit Profesor King për studimet tuaja që besoj se do të vazhdojnë dhe në të ardhmen dhe do të na ndihmojnë për t’u orientuar më të drejt të gjithë.
Një falenderim të përzemërt dhe të veçantë e kam për Pedagogun tim dikur, Prof. Ilir Gëdeshin, i cili gjithashtu bën një punë të shkëlqyer bashkë me insitutin e tij në këtë drejtim, por edhe për vëmendjen që ai solli tek unë për të vlerësuar, një personalitet të tillë, të niveleve më të larta shkencore për temën më shqetësuese, më kritike që duhet të ketë çdo vendimarrës në këtë vend”.