Klodian Gradeci, një prej njerëzve më të afërt të ish-ministrit Damian Gjiknuri, dyshohet të jetë përfshirë në një skemë mashtrimi me puset e naftës, ku në qendër të skandalit është kompania, Feniks Petrolium, që i ka shkaktuar shtetit një dëm prej miliona dollarë. Drejtori i Hidrokarbureve pranë Agjensisë Kombëtare të Burimeve natyrore, është shpallur në kërkim pasi gjykata, me kërkesën e prokurorisë së Tiranës caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, pas të dhënave të mbërritura nga autoritetet amerikane.
Në momentin, që policia zbarkoi në derën e ish-kreut të Operatorit të Sistemit të Trasmetimit, për t’i vënë prangat, konstatoi se ai ishte larguar jashtë vendit një ditë përpara, cka ka ngritur dyshime se mund të jetë sinjalizuar për urdhrin e arrestit. Në kërkim është edhe biznesmeni Isuf Berberi, drejtues i shoqërisë Feniks Petrolium, që është në qendër të skandalit financiar. Nga hetimet e prokurorisë të cilat nisën pas kallëzimit të bërë nga drejtori i Albpetrol, rezulton se shoqëria Feniks Petrolium me drejtues Naim Kasën dhe Isuf Berberin, e cila ka marrëveshje për shfrytëzimin e puseve të naftës me qeverinë shqiptare dhe ecuria e saj mbikëqyret nga AKBN.
Sipas kontratës, kompania kishte detyrimin për të bërë investime në puset e naftës, të cilat nuk I ka realizuar. Megjithatë, kjo kompani, ka paraqitur pranë Agjensisë tetë fatura të falsifikuara për shërbime që realisht nuk i ka përfituar nga kompania amerikane Black Swan Energy Service. Falsiteti i këtyre faturave – thuhet në dosjen hetimore është konfirmuar nga autoritetet gjyqësore amerikane dhe vlera totale e tyre është 1.3 mln dollarë. Prokuroria ka dyshime të forta se zyrtarët e AKBN-së, ku kryesori është Klodian Gradeci, kanë certifikuar në mënyrë të kundraligjshme punimet e pakryera nga kompania, duke i shkaktuar institucionit një dëm financiar në vlerën e 1.4 mln dollarësh.
Ndërsa inspektorët tatimorë, Arben Doda e Simon Marku, të cilët ndodhen në pranga, kanë përpiluar një raport kontrolli në kundërshtim me ligjin, duke i shkaktuar institucionit një dëm ekonomik më shumë se gjysmë milioni dollarë. Ndaj biznesmenëve të Feniks Petroleum, rëndojnë dyshimet për mashtrim me pasoja të rënda, fshehje e të ardhurave, për zyrtarët e agjensisë, është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës, ndërsa për tatimorët, ajo e moskryerjes së detyrave nga organet tatimore.