Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, tha në emisionin “Real Story”, në News24, se maska do të mbahet nga popullata dhe pikë, pasi në të kundërt sipas tij, do t’i rikthehemi sërish karantinës.
“Më ndalojnë dhe në rrugë e më pyesin pse na e lejoni maskën në restorant dhe jashtë duhet ta mbajmë? I thashë që në restorante do të ruhet distanca. Do të vihet maska dhe pikë! Mbajtja e maskës është mjekësore, nuk është politike. Nëse do të dalim pa maska, kontrolli do të bëhet i pakontrollueshëm, infeksioni do të rritet dhe do të futemi sërish në karantinë. Pra, merrni masa. Kjo është një masë parandaluese shumë e mirë dhe ne mund të jetojmë pa u izoluar dhe pa u kthyer në karantinë”, tha Bartaj.
Ndërkohë, Brataj u kundërshtua nga eksperti i shëndetësisë në Partinë Demokratike, Gazmend Koduzi, i cili theksoi se nuk duhet të ketë as karantinë dhe as maskë të detyrueshme, pasi sipas tij, duhet bërë funksional sistemi shëndetësor në mbarë vendin për të përballuar situatën.
“As karantinë, as maskë. Parandalimi kryesor është që t’i kapësh rastet. Mendoj që politikisht Rama po loz, duke tërhequr shoqërinë rreth maskave dhe duke i ikur thelbit. Thelbi është që duhet rritur numri i testimeve, pajisja me masa mbrojtëse, bërja gati e spitaleve rajonalë, por edhe të mjekëve dhe epidemiologëve. Kjo është përgatitja e sistemit, që edhe kap, edhe trajton, edhe ka mundësi t’i bëjë ballë situatës”, deklaroi Koduzi.