Policia ekzekuton urdhrin e Prokurorisë, arrestohen 3 zyrtarë të ARRSH në Durrës, 6 në kërkim

AKTUALITET


Policia e Durrësit ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë për arrestimin e disa zyrtarëve të ARRSH në qytetin bregdetar, pasi akuzohen se kanë abuzuar me detyrën.

Menjëherë pas urdhrit të Akuzës, policia ka vënë në pranga tre prej këtyre zyrtarëve dhe ka shpallur në kërkim gjashtë të tjerë. Në pranga kanë rënë tre inxhinierë të ARRSH, mbi të cilët rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “BYE PASS”.
Ekzekutohen masat e sigurisë ndaj 3 shtetasve dhe shpallen në kërkim 6 shtetas të tjerë.
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, pas një pune intensive hetimore, finalizoi me sukses operacionin policor “BYE PASS”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, e cila, bazuar në provat e grumbulluara, ka caktuar masat e sigurisë ndaj 3 personave nën hetim, si dhe u shpallën në kërkim 6 të tjerë, konkretisht:
U ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg” ndaj shtetasve:
L. T., 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inxhinier pranë ARRSH Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
K. B., 56 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inxhinier pranë ARRSH Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
Masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasin A. H., 63 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inxhinier pranë ARRSH Durrës, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar këtë masë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Në vijim të operacionit u bë shpallja në kërkim e shtetasve:
A. B., 48 vjeçe, Dh. L., 55 vjeçe, A. Z., 56 vjeç dhe S. T., 47 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inxhinier pranë ARRSH Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës iu ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Xh. V., 62 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë ndërtues, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm” kryer në bashkëpunim.
R. A., 36 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë ndërtues, për veprën penale “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm” kryer në bashkëpunim.
Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie, si dhe për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.



Skip to toolbar