Ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, sot do të vizitojë zyrtarisht Tiranën për marrëveshjen e detit Shqipëri-Greqi, ndërsa kjo vizitë pritet të shoqërohet me protesta nga Shoqata Çamëria dhe përfaqësuesit e PDIU.
Mediat greke shkruajnë se pikërisht kjo do të jetë temë diskutimi dhe qëllimi i vizitës së Dendias për marrëveshjen e 2009 që nuk u finalizua pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Dendias mbërrin në orën 11:00 në Rinas dhe takon Gent Cakajn. Më pas Ramën me të cilin do kenë dhe një konferencë për shtyp, teksa në axhendë ka dhe një takim me Metën, Basha dhe në fund kreun e PBDNJ, Vangjel Dule.
Për ta përfunduar vizitën Dendias ka zgjedhur Kryepeshkopin e Kishës Autoqefale Shqiptare, Anastas Janullatosin.
Tre temat ku do të fokusohen bisedimet janë çështjet europiane dhe rajonale, kryesisht marrëdhëniet shqiptaro-greke, zhvillimet në Mesdheun Lindor si dhe perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor.
Mediat greke kanë zbuluar se kjo vizitë do të jetë vendimtare për marrëveshjen e detit mes Shqipërisë e Greqisë e cila është rikthyer sërish në skenë pasi Greqia kërkon të zgjerohet me 12 milje në detin Jon.