Meta pret ministrin grek: Marrëveshja për detin në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara

Më të fundit


Ashtu siç ishte përcaktuar në axhendë, presidenti Ilir Meta priti sot në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Helene, Nikos Dendias. Meta u shpreh se marrëdhëniet Shqipëri-Greqi janë ndër prioritetet kryesore të politikës sonë të jashtme dhe theksoi se këto marrëdhënie duhet të vazhdojnë të zhvillohen në frymën e fqinjësisë së mirë, të lidhura nga interesat strategjike, partneriteti i ngushtë në NATO, perspektiva e përbashkët europiane dhe interesat ekonomike të të dy vendeve.

Presidenti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë ndaj perspektivës europiane të Shqipërisë, si një qëllim kombëtar dhe strategjik të saj. Ndër të tjera kreu i Shtetit vlerësoi se pakica greke në Shqipëri është një urë e fortë për miqësinë tonë të gjatë dhe së bashku me shqiptarët që jetojnë në Greqi përbëjnë themelet e marrëdhënieve tona të shëndosha dhe afatgjata.

Gjithashtu, presidenti Meta shprehu mirënjohje për solidaritetin dhe mbështetjen e Greqisë në rastin e tërmetit të 26 nëntorit 2019, si dhe për bashkëpunimin në lidhje me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.

Në lidhje me çështjen e delimitimit të hapësirës detare ndërmjet dy vendeve, presidenti i Republikës theksoi se ai ka inkurajuar dhe do të inkurajojë që ajo të trajtohet përmes një dialogu të sinqertë dhe respekti reciprok, duke synuar një zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme. “Marrëveshja për këtë çështje të rëndësishme duhet të jetë në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit, me legjislacionin e të dy vendeve dhe Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, – nënvizoi Presidenti Meta.



Skip to toolbar