Kryeministri Edi Rama ka sulmuar nga Elbasani Presidentin Ilir Meta dhe Kreun e PD-së Lulzim Basha. Rama përsëriti të njëjtën pyetje që bën prej disa javësh për Presidentin duke e akuzuar për dekorimet e të vdekurve, teksa kreun e PD-së e quajti zëvendësues dhe dezhurn të partisë që sipas tij nuk ka lider.
Kreu i maxhorancës tha se Meta nuk meriton më pushtet pasi i ka marrë të gjitha nga Shqipëria dhe se PD nuk meriton sepse nuk ka reflektuar.
“Çfarë kërkon më shumë Ilir Meta sot? Çfarë do Ilir Meta? A mund të ma thotë njeri çfarë duhet t’i japë më shumë Shqipëria Ilir Metës. Qysh kur ka lindur shteti shqiptar asnjë figurë politike nuk ka marrë më shumë se Ilir Meta. Të gjitha Shqipëria ia ka dhënë Ilir Metës. Çfarë kërkon sot Ilir Meta që nuk lë as të vdekurit rehat se të gjallët jo e jo. Çfarë kërkon Ilir Meta që ka marrë trastën dhe vjen vërdallë varreve për të dekoruar heronjtë. Për t’i bërë heronj mjeshtra pune, mjeshtra arti e mjeshtra zanati. E bëj këtë pyetje për fenomenin e tmerrshëm të mos ndaljes në të parit dhe të trajtuarit si plaçkë dhe të shqiptarëve si mish për top. E njëjta gjë vlen për PD-në. Si mundet PD sot të thotë jam gati të qeveris kur nuk ka reflektuar asgjë. janë të njëjtët njerëz, të njëjtat ide me ndryshimin që në vend të liderit është një zëvendësues, një dezhurn, është një bosh. Por sidoqoftë ne nuk e kemi betejën me ta. Ne PS. Kundërshtarët tanë në këtë betejë nuk janë ata, ata janë kundërshtarët e Shqipërisë, të së ardhmes së Shqipërisë dhe kundërshtarë të çdo shqiptari që do të jetojë këtu dhe çdo të riu. Kundërshtarët tanë janë ato ndjenja vetëkënaqësie, vetëpërmbushjeje që të pengojnë të shohësh shumë më tutje kur je i pari. Ne na duhen vajza dhe djem si vajza që foli para meje dhe Evisit, shqiptarë që vijnë nga jeta e përditshme, vijnë nga puna, nga përpjekjet dhe rezultatet në rrugën e tyre, qofshin në rrugën e qytetit, qofshin në rrugën e fshatit. Qofshin profesionistë në qytet apo fshat”, deklaroi Rama.