Cilat vota kanë rëndësi në SHBA? Fitues mund të shpallet edhe kandidati që merr më pak vota në total

BOTA


I mbani mend zgjedhjet presidenciale në 2016?

Donald Trump siguroi presidencën, edhe pse mori tre milionë vota më pak se kandidatja republikane Hillary Clinton. Një gjë e tillë mund të ndodhë sërish edhe me përballjen me Joe Biden dhe e gjitha ka të bëjë me sistemin sesi zgjidhet presidenti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kur amerikanët shkojnë të votojnë gjatë nëntorit, ata teknikisht nuk votojnë për Donald Trump apo Joe Biden, por ata votojnë për anëtarët e kolegjit elektoral.

Termi kolegj i referohet një grupi njerëzish ose zgjedhësish të cilët kanë një detyrë të përbashkët, të zgjedhin presidentin e SHBA.

Një sistem i tillë funksionon prej më shumë se 200 vitesh.

Themeluesit e SHBA-ve donin të ndërtonin një sistem demokratik, por ishin të shqetësuar se një votë direkte e popullit do të mund të çonte në përzgjedhjen e një presidenti të papërshtatshëm për të drejtuar vendin.

Zgjedhësit u përcaktuan në bazë të një kompromisi. Çdo shtet ka një numër të caktuar të zgjedhësve bazuar në numrin e popullsisë.

Sot kolegji zgjedhor përbëhet nga 538 anëtarë dhe një kandidat për president duhet të sigurojë shumicën e votave të anëtarëve të kolegjit, të paktën 270 të tilla. E në këtë mënyrë siguron mandatin 4-vjecar për në Krye të Shtëpisë së Bardhë.

Në pjesën më të madhe të shteteve kandidati që fiton votën popullore merr mbështetjen e zgjedhësve që përfaqësojnë shtetin në fjalë në Kolegj.

Për shembull, nëse një kandidat fitues merr 99% të votave ose 51% të votave në Kaliforni, ai do të marrë po ashtu edhe 55 votat e të zgjedhurve në Kolegjin Zgjedhor.

Kjo është arsyeja përse është e mundur që një kandidat të humbasë votën popullore në vend, por nga ana tjetër siguron shumicën e votave në Kolegjin Zgjedhor dhe emërohet president.

Kujtojmë se dy nga pesë zgjedhjet e fundit presidenciale u fituan nga kandidatë të cilët morën më pak vota popullore.

Kjo do të thotë se fushatat zgjedhore zakonisht përqendrohen në strategji të cilat synojnë të sigurojnë votat e 270 anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor sesa të sigurojnë votat në shtete ku tradicionalisht votohet për të njëjtën parti.

Pra, kandidatët synojnë shtete të pavendosura apo shtetet të cilësuara si fusha beteje.

Në zgjedhjet e fundit presidenciale të 2016, dy të tretat e fushatës zgjedhore u zhvilluan në 6 shtete, në mënyrë që 538 anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të luanin rolin e tyre përcaktues në zgjedhjen e Presidentit të SHBA.

Me kalimin e viteve ka pasur përpjekje për të ndryshuar këtë sistem zgjedhor, por mbështetësit e tij shprehen se një procedurë e tillë ndihmon në dhënien e rezultateve vendimtare dhe përpara ditës së zgjedhjeve të gjithë i dinë rregullat e lojës.



Skip to toolbar