Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Joe Biden deklaroi se është turp që kundërshtari i tij dhe presidenti aktual, Donald Trump nuk e pranoi humbjen në zgjedhje, transmeton Anadolu Agency.
Biden në shtetin Delaware, komentoi para mediave faktin se Trump nuk i njeh rezultatet e zgjedhjeve, pra humbjen.
Duke theksuar se refuzimi i administratës së Trumpit për të njohur fitoren e demokratëve “nuk do të ndryshojë dinamikën”. Biden tha se ai po ndjek vazhdimisht kalimin e tij në Shtëpinë e Bardhë.
“Amerika është kthyer në lojë. Nuk ka më ‘vetëm Amerika’. Pata rastin të bisedoj me 6 liderë botërorë të vendeve si Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Kanadaja dhe Irlanda. Të gjithë më uruan dhe ishin energjik, presin me padurim. Ne do ta kthejmë Amerikën atje ku ajo meriton të jetë”, tha Biden.
I pyetur nëse ai ka folur me udhëheqësin e shumicës së senatit republikan, Mitch McConnell, i cili gjithashtu nuk i pranoi rezultatet e zgjedhjeve, Biden tha se nuk ka biseduar me të.
“Me disa përjashtime, të gjithë Partinë Republikane e ka frikësuar presidenti (Trump)”, tha Biden ndërsa në pyetjen nëse kishte një mesazh për Trumpin, ai u përgjigj: “Unë pres që të flas me Trumpin”.