Në 12 prill të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë deklaroi se numri i personave të shëruar nga COVID-19 kapërceu atë ditë numrin e rasteve aktive. Deri atë ditë, 217 shqiptarë ishin infektuar dhe shëruar nga sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri dhe që ka prekur mbi 50 milionë njerëz në të gjithë botën, duke u marrë jetën gati 1.3 milionë njerëzve.
Kjo ishte një ngjarje e shënuar, që tregonte se epidemia ishte vënë nën kontroll, ndërkohë që vendi ishte mbyllur që prej mesit të marsit. Që nga ajo datë e deri në mesin e muajit tetor, numri i të shëruarve ishte vazhdimisht më i lartë ose i njëjtë me numrin e atyre që sëmureshin, duke e mbajtur pandeminë në nivele të përballueshme. Një muaj më vonë, spitali Shefqet Ndroqi në Tiranë pushoi së funksionari si spital i dedikuar për këtë sëmundje me emërtimin Spitali COVID-2 dhe pacientët e mbetur u kufizuan vetëm te spitali i sëmundjeve infektive.
Gjithçka duket se ndryshoi pas datës 15 tetor, ditën që në Shqipëri u vendos me detyrim mbajtja e maskës në ambientet e hapura, nën kërcënimin e gjobave 3 mijë lekëshe. Numri i rasteve aktive atë ditë në Shqipëri ishte 6,100 vetë, ndërsa që nga kjo datë e deri më 12 nëntor, numri i të prekurve u rrit me mesatarisht 250 vetë në ditë, ndërsa numri i të shëruarve u rrit me 96 në ditë, duke bërë që aktualisht në Shqipëri të jenë së paku 13 mijë të infektuar aktivë.
Vendosja e maskës me detyrim duket se ishte një masë e pamjaftueshme për të ngadalësuar transmetimin e infeksionit. Ritmi i rritjes së rasteve aktive duket se është përshpejtuar që nga mesi i tetorit, në vend që të frenohej.
Kjo nuk do të thotë se mbajtja e maskës nuk ka ndihmuar. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon mbajtjen e maskës si pjesë e një pakete masash mbrojtëse, e cila më vete “nuk është e mjaftueshme” për t’u mbrojtur nga COVID-19, por duhet të zbatohet krahas masave të tjera si higjena personale, shmangia e grumbullimeve masive të njerëzve apo ajrosja e shtëpive dhe zyrave.
Të dhënat statistikore të buletineve të përditshme të Ministrisë së Shëndetësisë të analizuara nga BIRN tregojnë se numri i rasteve aktive është dyfishuar nga afro 6,100 vetë më 15 tetor në mbi 12 mijë vetë më 12 nëntor, një periudhë prej 22 ditësh.
Situata vijon drejt përkeqësimit edhe më datë 13 nëntor, kur sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pati 490 raste të reja dhe 90 të shëruar nga rastet ekzistuese, duke sjellë një rritje të numrit të rasteve aktive prej 400 vetësh.
Vdekjet shtohen
Shtatë shqiptarë të tjerë, më e reja prej të cilëve ishte 47 vjeç, iu shtua numrit të personave të vdekur nga komplikimet shëndetësore të shkaktuara nga COVID-19 të premten.
Shkalla e vdekshmërisë bruto nga COVID-19 ka ardhur në rënie përgjatë muajve të fundit, nga 3% në fillim të pandemisë në 2.28 aktualisht. Në fakt,tendenca botërore është njësoj me kurbën në Shqipëri.
Sipas të dhënave të agjencisë Reuters, vdekshmëria nga COVID-19 është aktualisht 2.45 për qind e personave të konfirmuar si të prekur, shifër ku përfshihen edhe vdekjet e shkaktuara në pranverë, kur sistemet shëndetësore të disa vendeve të mëdha ranë pothuajse në kolaps për shkak të numrit të lartë të pacientëve.
Numri i vdekjeve nga COVID-19 ka pësuar një rritje dramatike nga afërsisht 4 në ditë gjatë muajve shtator dhe tetor në mbi 7 në ditë gjatë gjysmës së parë të nëntorit.
Shkalla e hospitalizimit në rënie
Më 13 nëntor, në spitalet e specializuara për të trajtuar pacientë me COVID-19 gjendeshin sipas statistikave zyrtare 378 pacientë, nga të cilët 16 ishin në repartet e kujdesit intensiv. Këto statistika tregojnë se afro 2.8% e të gjithë rasteve aktive me këtë sëmundje trajtohen në spitale, ndërsa pjesa tjetër janë në kushtet e shtëpisë. Shkalla e hospitalizimit të pacientëve me COVID ka ardhur në rënie të vazhdueshme që nga fillimi i pandemisë. Në qershor, afërsisht 10% e të sëmurëve trajtoheshin në spitale në krahasim me 6% në korrik dhe më pak se 5% në gusht.
Ndryshe nga shkalla e hospitalizimit, numri i rasteve nën kujdes intensiv është akoma i pandryshueshëm. Që nga fillimi i pandemisë, numri i rasteve akute është luhatur në një fashë të ngushtë nga 0 në maksimumi 25.
Statistikat zyrtare nuk të japin mundësinë të shohësh se sa prej personave që bien në kujdes intensiv rekuperojnë dhe shërohen dhe sa nuk mbijetojnë. Gjithashtu, nuk është e mundur të mësohen të dhëna më të detajuara për kohëzgjatjen mesatare të hospitalizimit apo të trajtimit në kujdes intensiv.
Gjirokastra në vend të dytë
Aktualisht, Qarku i Tiranës ka gjysmën e të gjitha rasteve aktive në vend dhe numrin më të lartë për banor. Në Tiranë ka 6640 të prekur nga sëmundja ose 773 persona për çdo njëqindmijë banorë. Qarku i Gjirokastrës në jug renditet në vend të dytë për sa i përket prevalencës me 615 të prekur aktivë për 100 mijë banorë. Qarku i Dibrës në veri ka prevalencën më të ulët, 117 të prekur për 100 mijë banorë. Mesatarja kombëtare është 472 raste aktive për 100 mijë banorë./birn