Nga Astrit Patozi
Nëse thua se je duke u bezdisur nga opozita e Bashës, që e ka kthyer prej kohësh në kalë beteje temën e Covid 19, të paktën mund t’i shmangësh takimet elektorale këto ditë të vështira, kur infektimet janë rritur frikshëm.
Ndryshe, i bie që i thua popullit tënd mos bëj atë që bëj unë, por vetëm atë që them unë.
Sado ta përgatisësh mirë skenografinë në natyrë, me distancat sociale korrekte apo me maskat në gatishmëri, prapëseprapë ato grumbullime militantësh dhe figurantësh mbeten vatra të mundshme të përhapjes së virusit.
Jo për gjë, por nuk ke asnjë arsye të nxitosh, sepse ata të tjerët nuk kanë ndërmend të zbresin në fushë, ngaqë janë duke thënë se po presin Komisionin e Venecias, i cili mund të flasë diku nga mesi i dhjetorit.
Deri atëherë mund t’ia kursesh Shqipërisë ca qindra apo mijëra infektime, në radhë të parë, duke mos shërbyer si model i keq, sepse interesa të vogla politike nuk mund të mbizotërojnë mbi kërcënimin kombëtar, që përfaqëson një shpërthim i shifrave të epidemisë.
I cili mund të marë me vete, jo vetëm jetë njerëzish, por bashkë me ta edhe ekonominë e vendit për një grusht votash më shumë.