Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca dhe ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim janë takuar sot me kryetaren në detyrë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Vitore Tusha. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Soreca, i cili ka publikuar foto nga takimi në “Twitter” si dhe një mesazh. Soreca shkruan se Tusha i ka informuar për punën e KED për plotëismin e vendeve vakante në Kushtetuese.
Ai thekson se është thelbësore që Shqipëria të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale deri në fund të vitit dhe se funksionaliteti i saj është kusht për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin në BE në konferencën e parë ndërqeveritare.
“Së bashku me ambasadoren e SHBA-ve në Shqipëri takova sot Vitore Tusha, Kryetarja në detyrë e Këshillit të Emërimeve në drejtësi. Ajo na informoi për punën e Këshillit për të plotësuar vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. KED do të mblidhet nesër dhe është thelbësore për të çuar përpara procesin, duke u mbështetur në opinionin e Komisionit të Venecias, në mënyrë që Shqipëria të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale deri në fund të vitit. Sigurimi i funksionalitetit të saj të plotë është një kusht kryesor për të filluar bisedimet e pranimit në Konferencën e parë ndërqeveritare.
BE vazhdon të mbështesë Shqipërinë për reformën në drejtësi dhe qëndron në krah të saj si një anëtare e ardhshme e BE”, shkruan ambasadori Soreca në “Twitter”.