A do rrëzohet Qeveria Hoti? Kushtetuesja vendos nesër

KOSOVA


Nesër në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës do të mbahet seancë dëgjimore lidhur me kushtetutshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi për votëbesimin e qeverisë Hoti, për të cilën kishte kërkuar interpretim partia e Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje.

Seanca pritet të fillojë në orën 10:00, ndërsa sot gjatë ditës GJK-ja ka bërë të ditur se do të publikojë edhe informacione të reja.

Lëvizja Vetëvendosje nesër do të marrë përgjigje mbi dyshimet që ka shfaqur që nga votimi i Qeverisë Hoti lidhur me ligjshmërinë e këtij vendimi. Të gjitha palët i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së Gjykatës Kushtetuese për seancë publike, e cila do të mbahet më 2 dhjetor.

Në një përgjigje zyrtarë nga ky institucion kanë bërë të ditur se seanca do të fillojë në orën 10:00.

Kjo seancë dëgjimore do të mbahet përmes video-konferencës e në Kushtetuese thonë se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për mbajtjen e saj.

“Në seancën dëgjimore publike, e cila do të mbahet më 2 dhjetor 2020, me fillim në ora 10:00, do të marrin pjesë të gjitha palët e interesit të përfshira në rast. Për shkak të situatës aktuale me pandeminë Covid-19, seanca dëgjimore publike do të mbahet nëpërmjet video-konferencës (online) dhe tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për mbajtjen e saj”, thotë zyra për media e Gjykatës Kushtetuese.

GJK-ja bën të ditur se palët nuk kanë kërkuar shtyrjen e seancës dhe se gjatë ditës së nesërme do të njoftojë për informacione më të detajuara.

“Asnjëra nga palët e përfshira në rast nuk ka kërkuar shtyrjen e seancës. Për më shumë hollësi rreth mundësisë së përcjelljes së drejtpërdrejtë të seancës dëgjimore publike, do të mund t’i referoheni edhe njoftimit për media që Gjykata do ta publikojë gjatë ditës së nesërme”, thotë Gjykata.



Skip to toolbar