Enver Hoxhaj: Kandidati për president duhet nga PDK

KOSOVA


Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike (PDK), Enver Hoxhaj është deklaruar në lidhje me kandidatin për president të Kosovës. Ai pohoi se deputetët e kësaj partie nuk do ta votojnë asnjë kandidat për president nga radhët e partive të koalicionit qeverisës.

“S’kemi vota për asnjë kandidat që vjen prej partive në pushtet. Nëse kërkohen votat e PDK-së atëherë edhe kandidati duhet të jetë i Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Hoxhaj në një konferencë për media në Prishtinë, pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie. PDK-ja është partia e tretë parlamentare dhe është në opozitë. “PDK-ja është në opozitë, mbetet në opozitë, por janë katër ose pesë tema të karakterit nacional ku kërkohet konsensus”, shtoi Hoxhaj.

Në Kosovë brenda disa muajsh duhet të emërohet presidenti i ri, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje në fillim të muajit nëntor, dhe u dërgua në Hagë, për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga ana e Prokurorisë së Specializuar. Ushtruese e detyrës së presidentit është kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, por në bazë të Kushtetutës ajo nuk mund të ushtrojë këtë detyrë më shumë se gjashtë muaj. Partnerët e koalicionit qeverisës (Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe pakicat) kanë edhe pesë muaj kohë për arritjen e dakordimit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Më 24 nëntor, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka paralajmëruar thirrjen e një takimi me liderët e partive politike për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Ai ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme, nuk janë opsion. Deri më tani vetëm lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ka shprehur hapur synimin për t’u bërë president i vendit, por ai nuk është mbështetur nga LDK-ja. AAK-ja ka thënë në vazhdimësi se nëse kandidati i tyre nuk zgjidhet president, atëherë do të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Sipas Kushtetutës zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhjet President i Republikës së Kosovës. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.



Skip to toolbar