Zbardhet dëshmia e Luftar Reçit, i penduari i drejtësisë që çoi në zbulimin dhe zbardhjen e plotë të 2 ngjarjeve të rënda kriminale të 15 viteve më parë ku në dy atentate mafioze u ekzekutuan Klodian Saliu si dhe biznesmeni Vajdin Lamaj me mikun e tij të fëmijërisë, Artan Arsi.
Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar vendimin e gjykatës e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Në dëshminë e tij Reçi ka dhënë informacion të plotë dhe pa asnjë rezervë në lidhje me disa ngjarje kriminale, të ndodhura në kohë të ndryshme në vendin tonë. Në dosje thuhet se Reçi ka ndihmuar në vijimin e hetimit dhe gjykimin e autorëve të këtyre ngjarjeve.
I penduari i drejtësisë ka rrëfyer në detaje krimin e rëndë, që nga biseda me Lulzim Berishën dhe Indrit Tauallau, të cilët ishin rivalët e viktimës në fjalë.
“Në fillim të muajit shkurt të 2005-ës kam takuar në Tiranë Lulëzim Berishën. Takimi u realizua në vendin e quajtur pranë stacionit të trenit Tiranë, vend ku unë kisha një kazino timen. Kazinoja ndodhej në bodrumin e një pallati të ndërtuar nga një ndërtues kosovar me emrin E.A. Ishte ora 01:00 dhe erdhi Luli së bashku me Lentin dhe Indritin. Gjatë takimit Luli më ofroi një marrëveshje sipas së cilës unë duhej të vrisja Klodian Saliun dhe ai në këmbim do të vriste hasmin tim. Ata më thanë se Klodian Saliun e kishin kundërshtar dhe kishin frikë se mos i vriste. Gjithashtu ata donin ta vrisnin dhe në lidhje me kontrabandën dhe trafiqet që bëheshin në posrtin e Durrësit pasi e shihnin si rival. Sipas Lentit, një polic i portit i kishte thënë atij që një natë Klodi me gjithë dy persona të tjerë ju kanë pritur tek shtëpia e Lulit për t’ju vrarë. Sipas Lentit, polici ishte i pirë tapë në momentin që kishte thënë muhabetin. Pasi ramë dakord e të shkëmbenim hasmit, unë thuajse gjithë muajin shkurt të 2005 nga mesi i ditës deri vonë në darkë shkoja në Durrës me qëllim që të njihja si fytyrë shtetasin Klodian Saliu si dhe të mësoja lëvizjet e tij. Kur shkoja në Durrës çdo ditë fillimisht takoja Lulin, Lentin dhe Indritin dhe më pas me qëllim që të studioja lëvizjet dhe vendet ku rrinte Klodi ata më jepnin një djalë të ri, të moshës rreth 19 vjeçe, që njihte Klodin si fytyrë. Unë dhe Lenti dhe Indriti filluam që të bëjmë prova për mënyrën se si do të realizonim vrasjen e Klodian Saliut. Vendosëm që vrasja të realizohej gjatë kohës që Klodi do të shkonte të takonte…. në Tiranë. Një javë rresht kemi pritur që të kalojë dhe ne vendoseshim tek një karburant rreth 1.5 km në hyrje të autostradës Durrës-Tiranë. Ndërsa personin të cilin e thërrisnin Ç…, e linim tek kryqëzimi i rrugës. Detyra e Çeços ishte që të mbante në vëzhgim automjetin e Klodianit nëse do të ikte nga Plepat apo do të futej në autostradën për në Tiranë. Luli sapo mori vesh që ….do të na jepte informacione për lëvizjen e Klodit, u sigurua që do të bëhej vrasja, iku në Turqi me qëllim që mos të dyshohej. Një natë para se të vritej Klodi unë kam fjetur tek shtëpia e J… Ditën e vrasjes në mëngjes jam takuar tek piceria e Lulit me Lentin dhe Indritin. Ndërsa Luli ishte në Turqi. Brensa picerisë kishte një zyrë si ambient më vete me kolltuqe të bardha dhe televizor. Në momentin që ka filluar të errësohej kemi shkuar tek shtëpia e J… dhe morëm një makinë tim BMË X5 me ngjyrë të zezë në të cilën ishte vendosur një targë italiane. Me vete kishim armë zjarri dhe më konkretisht unë kisha një pistoletë të markës “Beret”. Lenti kishte një automatik të tipit ‘Skorpions’ dhe dy karikatorë rezervë, kurse Indriti kishte një pistoletë me 15 fishekë. Në momentin që u errësua ne jemi parkuar tek i njëjti karburant siç e përshkrova më sipër. Kurse Çeço tek kryqëzimi. Lenti dhe Indriti kishin siguruar informacion se Klodi udhëtonte me një automjet tip ‘Mercedez 300’ dhe se ishte futur në autostradë. Ai drejtonte makinën. Ne u bëmë gati dhe ishim ulur në këtë mënyrë; unë isha shoferi, Indriti i ulur në vendin e parë të pasagjerit, kurse Lenti në sediljen e pasme. Pasi kaloi Benzi, unë ndeza makinën dhe u nismën në ndjekje të makinës ku ishte Klodi. Diku në mes të Vlorës dhe Durrësit i jemi afruar dhe jemi vendosur paralel me makinën që drejtonte Klodi dhe kanë qëlluar me armë. Indri me pistoletë dhe Lenti me ‘Skorpions’. Kemi ecur paralel rreth 10 sekonda. Më pas makina ka përfunduar në kanal. Pasi makina e Klodit ka përfunduar në kanal, Indriti bërtiti me të madhe: “O lal, mbaje, mbaje”. Hapa krahun dhe Indri iu afrua ‘Benzit’ të Klodit dhe e ka goditur tre herë me pistoletën me mulli. Unë isha shumë afër dhe këtë moment e kam fiksuar shumë mirë. Indriti i ka thënë pasagjerit që nëse donte të shpëtonte ta mbyllte gojën.”, tha Reçi.