Nga Astrit Patozi
Qazim Rasha me siguri që nuk ka dashur kurrë të jetë personazh publik. Aq më shumë në këto rrethana të vështira, si baba i një 25 vjeçari të pafajshëm, që humbi jetën tragjikisht prej armës së një përfaqësuesi të shtetit.
Nuk besoj se ka rast më fatkeq se ky, kur merr kuptimin më të plotë ajo shprehja e njohur shqiptare se ajo që i ndodhi atij nuk i urohet as hasmit. Ata që janë prindër vetë e dinë më mirë se të tjerët, se nuk ka asgjë në botë që mund t’ia lehtësojë atij dhimbjen.
Por jeta nganjëherë të hedh në hone të thella dhe të paparashikuara dhe njeriut i duhet të përballet me fatkeqësi të rënda. Dhe në të tilla momente janë në provë, jo vetëm përmbajtja, karakteri, forca, besimi, por edhe formimi dhe integriteti i atij që i kalon.
Babai i Klodian Rashës, edhe pse në një pozitë tmerrësisht të vështirë, të cilën nuk e zgjodhi vetë, por ia imponuan përdhunisht, na dha mbëmë një leksion të shkëlqyer dinjiteti dhe kthjelltësie.
I cili bën kontrast të fortë me bardhë e zinë, që na ushqejnë, jo vetëm në këto ditët e protestave për Klodian Rashën, skifterët dhe trushplarët e të dy kampeve të politikës së vjetër.
Si të atyre, të cilët, duke shfrytëzuar vrasjen e dënueshme të djalit të tij, duan t’i vënë flakën Shqipërisë për hesapet e tyre politike, ashtu edhe të tjerëve, që mendojnë se mund ta mbyllin me lekë plagën e hapur në zemrën e tij prej babai të copëtuar nga dhimbja prej arrogancës së shtetit.
Ai është sot në mes të këtyre dy rrymave agresive, që e trazojnë pa mëshirë atdheun prej vitesh, si një emblemë e qetësisë, që meritojnë shqiptarët e dhunuar dhe të keqqeverisur nga një politikë grabitqarësh, të cilët nuk i ndal dot as vdekja.
Qazim Rasha është në fakt sot përfaqësuesi më i denjë i Shqipërisë normale, i asaj që jeton me djersën e ballit të vet, dhe nuk kërkon asgjë nga shteti i vet, përveçse të mos ia bëjë më të vështirë, seç e ka jetën, të cilën e përballon vetë.
Ai është sot pasqyra, ku secili prej nesh, që kemi pasur diçka në dorë në këto 30 vjet, duhet të shikojmë fytyrën tonë të deformuar nga përgjegjësitë, që rrjedhin prej abuzimeve të mëdha me pushtetin.
Natyrisht, të parët për t’u ndjerë të turpëruar duhet të jenë këta qeveritarët në detyrë, të cilët janë dyfish në borxh me Qazim Rashën dhe me të gjithë shqiptarët e revoltuar sinqerisht nga vrasja e djalit të tij.
Në radhë të parë, se i kanë shkaktuar atë plagë të parikuperueshme dhe, në radhë të dytë, se e kanë poshtëruar me atë vendim qeverie për ta shpërblyer, kur ende nuk ka një vendim drejtësie për krimin.