Albi Xhunga: Kujt t’i besojmë për reformën në drejtësi ?

OPINION


Në diskursin publik vijon debati mbi suksesin apo dështimin e reformës në drejtësi. Së fundmi janë disa emisione televizive dhe disa deklarata pro dhe kundra saj me qëndrime diametralisht të kundërta, por që përdorin argumente të ndryshëm.

Në një emision të ABC Story në televizionin ABC News u shfaq një dokumentar 30 minutësh, i cili tentonte të zhvlerësonte bilancin e SPAK në një vjetorin e parë të aktivitetit të tij. Emisioni mëtonte të shpjegonte se SPAK i është shmangur detyrave të tij parësore, si çështja 184 dhe është marrë me çështje të dorës së dytë që nuk kanë vlerë për interesin e publikut, si për shembull korrupsioni me vlera të ulëta 1000, apo 5000 lekë. Mirëpo nëse iu bën një analizë argumenteve kryesore të dokumentarit, të cilit i kanë bërë jehonë edhe disa portale, vë re se ato jo vetëm që nuk janë korrekte, por përmbajnë edhe elementë që fyejnë logjikën.

Dokumentari i ABC News bazohej në dy argumente kryesorë dhe në deklarimet e një ish prokurori, i cili sipas emisionit ishte larguar nga vetingu në mënyrë të dyshimtë.

Prokurori quhet Gentian Trenova dhe shkarkimi i tij nuk është fare i dyshimtë.

Në vlerësimin e justifikimit të pasurisë, prokurori Trenova shfaqi probleme. Ai ka blerë një apartament në Tiranë me një kontratë prej 40000 eurosh, por më vonë kjo kontratë nga 40000 euro bëhet 1.9 milionë lekë. Kjo u konsiderua e patolerueshme nga komisionerët e vetingut (siç do të konsiderohej nga çdo logjikë njerëzore). Por nëse për pothuaj totalin e magjistratëve të shkarkuar ka mjaftuar vetëm mos justifikimi i pasurisë, për prokurorin Trenova ka pasur edhe elementë të mos kryerjes së detyrës. Ai nuk ka proceduar një prokuror dhe nuk ka hetuar pasurinë e një të ndaluari për trafik droge. Këto vërrejtje i ka bërë komisioneri publik, belgu (jo shqiptari)  Teo Jakobs (Theo Jacobs). Sipas dokumentarit ky është një shkarkim i dyshimtë.

Prokurori Gentian Trenova është edhe prokurori që nisi hetimin për blerjen e votave në Dibër pas një padie të Partisë Demokratike. Domethënë është pikërisht ky prokuror që jo vetëm nuk e hetoi çështjen 184, por duhet të jetë një nga të dyshuarit kryesore për rrjedhjen e përgjimeve në shtyp. Themi nuk e hetoi çështjen, pasi sot çdo jurist bie dakort se përgjimi nuk përbën provë në vetvete, por është një element që të çon drejt saj.

Dy argumentet kryesore të emisionit janë shpallja e mos kompetencës nga SPAK (në kundërshtim me ligjin sipas Trenovës) për çështjen 184 dhe angazhimi i tij për çështje korrupsioni me vlera qesharake.

Të dy argumentet nuk qëndrojnë. E para, kreu i SPAK, Arben Kraja, në një intervistë për emisionin 30 minuta në TVSH sqaroi se megjithëse çështjet e korrupsionit të thjeshtë në vlera të ulëta nuk përbëjnë interes të madh për publikun, ato janë çështje që bëjnë pjesë në ndryshimet kushtetuese dhe në ligjin për SPAK dhe ky i fundit është i detyruar me ligj t’i trajtojë. Pra edhe pse pritshmëria e publikut nga SPAK nuk janë këto çështje, ligji e detyron atë t’i trajtojë. Këtu nuk kemi të bëjmë me preferencat e SPAK siç lë të kuptohet dokumentari, por me detyrimin e institucionit për të zbatuar ligjin.

Ndërsa për sa i përket çështjes 184 ka një fakt të rëndësishëm që sqaron se krimi zgjedhor nuk është kompetencë e SPAK. PD kërkoi që në marrëveshjen e 5 qershorit krimi zgjedhor të trajtohej nga SPAK. Përse PD (një forcë që ka në përbërjen e saj juristë të nivelit të lartë) do të bënte një kërkesë të tillë nëse ligji e detyronte SPAK-un t’i trajtonte këto krime?

Një president që sillet si një njeri që nuk ka asgjë për të humbur

Shkëlqesia e tij, presidenti i republikës, është prej kohësh një kundërshtar i hapur i reformës në drejtësi. Të sulmosh haptazi, jo vetëm reformën në drejtësi, një investim pothuaj 100% amerikan, por edhe përfaqësuesen më të lartë të SHBA në Tiranë dhe këtë ta besh nga froni më i lartë i një shteti në të cilin pro-amerikanizmi është diku mbi 98%, duhet të jesh vërtet i dëshpëruar. Etika bazë nuk lejon të sulmosh një reformë, apo një gjykatë kur ti je subjekt i saj. Por shkëlqesisë së tij aq i bën. Ai rrezikohet nga reforma, siç rrezikohet nga Gjykata Kushtetuese dhe mesa duket ndihet si një njeri që nuk ka çfarë të humbë.

Qëndrimet e tij kundra reformës datojnë vite më parë, që kur diskutohej votimi i saj dhe ku shkëlqesia e tij përmendi disa herë fjalën burg në një dalje publike. Në një intervistë për Top Story të Sokol Ballës të para 3 viteve në Top Channel, ai i doli hapur në mbrojtje Adriatik Llallës, i cili akuzohej nga ambasadori Lu për kapje të KLD dhe dënoi heqjen e vizave të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar nga ambasada e SHBA me argumentimin qesharak se nuk mund të ketë dënim kolektiv. Ambasada shpalli një listë personash të cilëve iu ndalohej hyrja në SHBA, por përgjegjësia e tyre ishte thellësisht personale. Lajmi i mirë sot është se shkëlqesia e tij, falë reformës të cilën ai sulmon, nuk mund t’i dalë më në mbrojtje Adriatik Llallës.

Në një emision të një televizioni shumë pranë qarqeve më fanatike të opozitës, shkëlqesia e tij bëri deklarata që përplasen me njëra-tjetrën. Ai deklaroi se falë rezistencës së tij Gjykata Kushtetuese nuk u kap (dmth sot kemi një gjykatë të pakapur). Ndërsa pak më vonë deklaroi se nëse kjo gjykatë legalizonte zgjedhjet e 30 qershorit, ajo ishte një gjykatë e vdekur.

Gjykata Supreme e SHBA ka në përbërje 9 anëtarë, 6 të emëruar nga republikanët (3 prej të cilëve të emëruar nga presidenti Donald Trump) dhe 3 të emëruar nga demokratët. Megjithëse kjo gjykatë u shpreh kundra pretendimeve të presidentit Trump për manipulimin e zgjedhjeve, presidenti nuk e sulmoi gjykatën. Ndërsa shkëlqesia e tij e sulmon gjykatën ende pa u gjykuar çështja. Sipas tij nëse kjo gjykatë nuk merr vendimin që ai pret, ajo është një gjykatë e vdekur.

Objektivi i propagandës

Ata që bëjnë propagandë kundër reformës e dinë mirë se të thuash se SPAK nuk merret me çështje të rëndësishme si çështja 184 dhe e justifikon ekzistencën e tij me korrupsion ordiner me vlera qesharake ka impakt në opinonin publik. Një qytetar i thjeshtë që punon nga ora 09 :00 deri në orën 17 :00 (në rastin më të mirë), të cilin e mbysin hallet e përditshmërisë së vështirë, nuk ka kohë e as dëshirë të përpiqet të kuptojë çështje mjaft të komplikuara e të lexojë analiza të detajuara. Tek ai ka më shumë impakt sensacioni ‘’SPAK heton çështje 1000 lekëshe, por shmang çështje si blerja e votës’’, sesa shpjegime të detajuara të së vërtetës që në fakt nuk mungojnë. Po t’i shtosh kësaj edhe mungesën e rezultateve konkrete, ku politikanë si shkëlqesia e tij janë pjesë par excellence e listës së atyre që do të duhet të përballen me drejtësinë e re, kuptohet pse besimi i publikut në reformën në drejtësi bie. Por kjo nuk do të thotë se propaganda do të ketë sukses.

Këtë reformë e do Amerika, e cila është investuar aq shumë sa një dështim eventual i saj do të ulte fort kredibilitetin e politikës amerikane dhe do të prodhonte në Tiranë barsoleta me ambasadorë amerikanë.

Këtë reformë e do BE, e cila kushtin kryesor për rrugën europiane të Shqipërisë ka pikërisht suksesin e saj.

Këtë reformë e duan shqiptarët, të cilët nuk kanë pasur kurrë në historinë e ekzistencës së tyre një drejtësi të pavarur ku politikanët kanë frikë nga ligji.

Në një vend ku funksionon drejtësia, funksinon gjithçka. Funksionon tregu i lirë pa monopole, funksionon konkurenca që është motorri i ekonomisë, funksionon gara (përfshirë atë elektorale), funksionon meritokracia etj.

Ambasadorja amerikane na fton të vazhdojmë të mbështesim dhe të besojmë në një reformë, e cila nuk është e përsosur, por është e nevojshme, po përparon dhe duhet të vazhdojë. Ndërkohë që propaganda vazhdon me vendosmëri të na bombardojë me sensacione si ato që përmendëm më sipër, por që janë pa përmbajtje, pa argumente bindës dhe më kryesorja, me fakte të manipuluara.

Nëse ka një shpresë që Shqipëria të bëhet shtet funksional, është pikërisht kjo reformë. Skenari ku ajo dështon, është një skenar shumë i errët për Shqipërinë e për shqiptarët. Suksesi i saj është skenar shumë i errët për ata që e kanë vjedhur këtë vend prej tre dekadash e që sot investohen me gjithçka në sulme ndaj saj.



Skip to toolbar