Policia e Lezhës ka arrestuar një 21-vjeçar nga Kruja si autor të dyshuar të ngjarjes së ndodhur më 19 nëntor në Shëngjin, ku shpërtheu një sasi lënde plasëse në objektin në pronësi të shtetasit L. Gj.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, pas një pune profesionale hetimore, bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të vendosjes së eksplozivit.
Si rezultat i provave të grumbulluara u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Eksplozivi”, si rezultat i të cilit, në bashkëpunim më Komisariatin e Policisë Krujë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit Erald Pajtani, 21 vjeç, banues në Larushk, Krujë.
Ky shtetas, më datë 19.11.2020, në Shëngjin, Lezhë, dyshohet të ketë vendosur në një nga kolonat e një objekti në ndërtim, në pronësi të shtetasit L. Gj., një sasi lënde plasëse, nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan vetëm dëme materiale.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, në ngarkim të shtetasit E. P., për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake” dhe “Kanosja”.