Koronavirusi, mbi 20 milionë të infektuar në Shtetet e Bashkuara

AKTUALITET


Në mbarë globin numri i infektuarve me koronavirus arriti në 83.5 milionë raste ndërsa 1.8 milionë rezultojnë të kenë humbur jetën, që prej fillimit të pandemisë. Të dhënat i takojnë Universitetit Johns Hopkins.

Shtetet e Bashkuara mbeten në krye të listës si vendi me më shumë infeksione, me rreth 20 milionë raste dhe me një numër vdekjesh prej më shumë se 346.000 rastesh.

India ka 10.2 milionë raste dhe më shumë se 148.000 vdekje, njoftoi universiteti, ndërsa Brazili ka 7.6 milionë infeksione me gati 195.000 vdekje.

Dyzet e dy njerëz në shtetin amerikan të Virxhinias Perëndimore menduan se kishin marrë vaksinën e koronavirusit, por iu ishte injektuar ajo që gazeta New York Times e përshkroi si një “trajtim eksperimental me antitrupa monoklonale”.

Garda Kombëtare e Virxhinias Perëndimore tha të enjten se “të gjithë individët që morën antitrupat janë kontaktuar ose janë në proces të kontaktimit”.

Garda Kombëtare tha se nuk beson se ndonjë prej njerëzve është në rrezik të dëmtohet.

Gjeneral-majori James Hoyer, adjutanti i përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Virxhinias Perëndimore, tha në një deklaratë se, “në momentin që u njoftuam për atë që ndodhi, kemi vepruar menjëherë për ta korrigjuar dhe menjëherë kemi rishikuar dhe forcuar protokollet tona për të përmirësuar procesin e shpërndarjes dhe për të parandaluar që kjo të ndodhë përsëri”.

42 individë thuhet se morën produktin e antitrupave Regeneron në vend të vaksinës Moderna.

“Ky produkt ishte i njëjti që iu administrua Presidentit Donald Trump kur ai u infektua,” tha në një deklaratë Dr. Clay Marsh, drejtuesi për COVID-19 në Virxhinian Perëndimore.

Garda Kombëtare e Virxhinias Perëndimore tha se njerëzit që morën trajtimin e gabuar “do t’u ofrohet vaksina sa më shpejt të jetë e mundur me një status përparësor”.

Tregjet me tezga dhe vendet e argëtimit janë mbyllur në shtatë provinca të Tajlandës, pasi 279 raste të reja me koronavirus u raportuan të premten, sipas agjensisë së lajmeve Associated Press. Restorantet do të lejohen të përgatisin vetëm ushqim për t’u marrë me vete./voa



Skip to toolbar