Zona e Bergamos është tronditur nga një ngjarje e rëndë, ku një politikan i njohur i kësaj zone është gjetur i vrarë pranë banesës së tij. Ngjarja ndodhi dje. Mediat italiane raportojnë se Franco Colleoni, 68 vjeç, u gjet i vrarë përballë shtëpisë së tij, jo shumë larg restorantit që kishte në pronësi që mbante emrin “Il Carroccio”, emër që kujton atë me të cilin njihet nga opinioni publik italian “Lega” e drejtuar nga Matteo Salvini.
Mësohet se Colleoni ishte figurë aktive e politikës në zonën e Bergamos, ndërsa për vite me radhë kishte mbajtur rolin e sekretarit provincial të Legës, si dhe poste të rëndësishme në administratën lokale. Po ashtu bëhet e ditur se autori/ët e kanë goditur pas kokës politikanin, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.
Aktualisht policia po heton në lidhje me ngjarjen, ndërsa ende nuk është rënë në gjurmët e autorit. Deri më tani policia nuk ka të qartë një motiv konkret, nëse bëhet fjalë për çështje që lidhen me detyrën në politikë apo tentativë vjedhje.