Vendi ynë pritet që të përfshihet nga reshje të dendura shiu këto ditë, duke nisur nga sot.
Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka paralajmëruar qytetarët në lidhje me faktin se deri në 11 janar, mund të ketë përmbytje.
Sipas llogaritjeve të IGJEUM, përgjatë datave (6 -11 Janar 2021) priten reshje shumë intensive, pothuajse në të gjithë territorin. Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, këto reshje do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë. Përmbytje mund të shkaktohen nga lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës me prurjet maksimale të cilat parashikohen të arrijnë zonat e rrezikuara në datën 12 Janar 2021.
Mësohet se lumenjtë Mat, Ishëm, Erzen dhe Shkumbin do i arrijnë prurjet maksimale në fundin e datës 8 dhe 9 Janar 2021. Ndërkohë, lumenjtë Seman dhe Vjosa parashikohen të rrezikshëm por me probleme më të vogla lokale të përmbytjeve. Shkalla e rrezikut nga përmbytjet lumore do varet edhe nga sasia e shkrirjes së dëborës si pasojë e rritjes së temperaturave. Përmbytje urbane dhe rrëshqitje të dherave mund të ndodhin gjithashtu në pothuajse të gjitha qarqet.
RESHJET
Sot pasdite (e mërkurë, dt. 06) dhe nesër (e enjte, dt. 07) priten reshje shumë intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës dhe Tiranë. Në qarqet e tjerë priten reshje intensive, ndërsa në qarqet Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër deri lokalisht shumë intensive. Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).
TEMPERATURAT
Nesër (e enjte, dt. 07) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 11 / 14 °C, në vendet e ulëta: 9 / 11 °C, në vendet malore: 3 / 10 °C
ERA
Sot pasdite (e mërkurë, dt. 06) dhe nesër (e enjte, dt. 07) era pritet të jetë e lehtë deri mesatare kryesisht në bregdet dhe në vendet malore.