Shkencëtari që u bë “hajmalia” e Amerikës

BOTA


Në vitin 2020, Anthony Fauci ishte hajmalia e Amerikës. Do të jetë sigurisht edhe këtë vit, duke pasur parasysh që Joe Biden i kërkoi të bëhej, përtej pozicioneve zyrtare, këshilltari i tij i parë në fushatën kundër Covid19.

Vetë Presidenti i zgjedhur, në një intervistë për CNN më 3 dhjetor 2020, tha: “Unë jam gati të vaksinohem publikisht, sapo Fauci të thotë se gjithçka është në rregull”.  

Fauci, jo Administrata e Ushqimit dhe Barnave, organizmi federal që kontrollon sigurinë e barnave dhe ushqimit, para se ato të hidhen në treg.

Anthony mbushi 80 vjeç më 24 dhjetor, në prag të asaj që u shpall si Krishtlindja më e errët në historinë e kohëve të fundit. Ai është virologu më i rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara dhe është gjithashtu një pikë referimi absolute në të gjithë botën. Në muajt e fundit, Fauci ka qenë personi më i intervistuar nga media në të gjithë botën.

“Unë jam nga New Yorku, siç mund ta kuptoni nga theksi im,” thotë ai me theksin e shumë banorëve të Mollës së Madhe. Si të dojë të thotë: Nuk kam asnjë paragjykim, më interesojnë faktet, rezultatet.

Nga Siçilia

Ai lindi në Brooklyn, ku stërgjyshi i tij erdhi në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, pasi qe nisur nga Sciacca, në Siçili. Babai i tij kishte një farmaci, ku angazhonte të gjithë familjen. Nëna dhe motra punonin në banak. Toni bënte dërgesat pasdite kur ishte në shkollë të mesme, dhe më pas në kohën midis provimevee në Cornell University Medical College në New York.

Fauci ka punuar gjithmonë për qeverinë. Kur ishte 28 vjeç, u bashkua me Institutin Kombëtar të Shëndetit dhe në moshën 44vjeë, u bë drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjive në Uashington. Një pozicion që ai ka mbajtur deri më sot, duke u përballur me epidemi vdekjeprurëse të tilla si Ebola dhe AIDS, duke kaluar epoka rrënjësisht të ndryshme, në kohën e gjashtë presidentëve, nga Ronald Reagan te Donald Trump.

Më 30 janar 2020, The Donald e thirri në task forcën anti-virus të Shtëpisë së Bardhë. Që nga ai moment, shkencëtari, siç e tregoi vetë, u detyrua të zvogëlonte me nga pesë, në katër orë gjumin dhe të hiqte dorë nga ecja e përditshme 3 kilometra.

Në fillim, marrëdhënia duket se funksionoi. Për një arsye shumë të thjeshtë: midis janarit dhe mesit të shkurtit, edhe Fauci nënvlerësoi ndikimin e mundshëm të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, duke përsëritur: “Për vendin tonë, rreziku është shumë i ulët”. Pikërisht këtë donte të dëgjonte Trumpi. Por rreth 15-20 shkurtit, shkencëtari e kuptoi që infeksioni do të pushtonte edhe SHBA.  

Presidenti, megjithatë, nuk e ndoqi: ai vazhdoi të minimizojë dhe të mbjellë konfuzion. Një foto e 20 marsit, mbetet e paharrueshme: Trumpi flet me gazetarët, ndërsa Fauci mbulon fytyrën me një dorë. Që atëherë, udhëheqësi amerikan ka kërcënuar se do ta pushojë nga puna çdo javë. Ose që ta heshtë, duke e degdisur në reshtat e dytë të Administratës. Por Fauci nuk u tërhoq kurrë.

Dhe “Tony”, i bllokuar, shkon në TV

Daljet publike të task forcës bëhen gjithnjë e më të rralla, derisa mbarojnë plotësisht. “Tony”, megjithatë, anashkalon bllokadën, duke dalë dy ose tre herë në javë në rrjetet kryesore televizive amerikane. Në të njëjtën kohë nuk e humb angazhimin maksimal, nga ana shkencore.

Studiuesit e tij kanë punuar me vaksinën që nga mesi i janarit, duke kryer prova thelbësore në laboratorë në periferi të Uashingtonit dhe duke koordinuar aktivitetet e kompanive të ndryshme farmaceutike, duke përfshirë Pfizer dhe Moderna, të parat që arritën në vijën e finishit. / Sette – Bota.al



Skip to toolbar