A do arrestohet Putin në Brazil?

BOTA


Presidenti brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, ka deklaruar se lideri rus, Vladimir Putin, nuk do të arrestohet në Brazil, nëse ai merr pjesë në takimin e Grupit 20 në Rio de Zhaneiro, vitin e ardhshëm.

Duke folur për emisionin e lajmeve Firstpost gjatë samitit të G20 në Delhi të shtunën, Lula tha se Putini do të ishte i ftuar në ngjarjen e vitit të ardhshëm.

“Unë besoj se Putini mund të shkojë lehtësisht në Brazil. Ajo që mund t’ju them është se nëse unë jam president i Brazilit dhe ai vjen në Brazil, nuk ka asnjë mundësi që të arrestohet”, tha Lula.

Deklarata vjen pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) lëshoi ​​një urdhër-arresti kundër Putinit në mars, duke e akuzuar atë për krime lufte të dëbimit të paligjshëm të qindra fëmijëve nga Ukraina.

Rusia ka mohuar se forcat e saj janë përfshirë në krime lufte ose kanë marrë me forcë fëmijë ukrainas.

Putin ka anashkaluar vazhdimisht takimet ndërkombëtare dhe nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e G20 në Delhi, duke dërguar ministrin e Jashtëm, Sergej Lavrov.

Brazili është nënshkrues i Statutit të Romës që çoi në themelimin e ICC.

Të shtunën, vendet e G20 miratuan një deklaratë konsensusi që shmangte dënimin e Rusisë për luftën në Ukrainë, por u bëri thirrje të gjitha shteteve që të mos përdorin forcën për të rrëmbyer territor.

Konsensusi erdhi si surprizë pasi G20 është thellësisht i ndarë në lidhje me luftën në Ukrainë, me vendet perëndimore që më herët kërkuan dënim të fortë të Rusisë në Deklaratën e Liderëve, ndërsa të tjerët kërkuan një fokus në çështje më të gjera ekonomike.



Skip to toolbar