Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli thotë se rezultatet e hapjes në lidhje me shifrat e COVID-19 do të shihen pas 10 ditësh ose dy javësh. Në një lidhje me emisionin “Real Story” në News24, Rakacolli tha se treguesit e vërtetë të situatës janë rastet në spital dhe ata në kujdes intensiv. Sa i përket shifrave të fundit, ajo shpjegoi se analizat dalin në orët e vona të mbrëmjes ose pas mesnate.
“Nuk e kam akoma. Ky informacion merret pasi mbaron analiza e të gjitha mostrave që janë çuar sot në analizë. Rezultatet akoma nuk kanë dalë. Ka pasur raste që kanë dalë dhe pas mesnate.
Nuk mund të gjykosh për këto numra. Si të jenë 9 si të jenë 12 s’mund të flasim që situata nuk është kontrolluar. Do flasim për 10 ditë dy javë. Nëse ne sot dalim, ky rezultat nuk do dalë sot apo nesër por pas 2 javësh që është dhe periudha e inkubacionit.
Qëndrueshmëria e rasteve të shtruara në spitale dhe që kanë nevojë për kujdes intensiv janë treguesit e vërtetë që tregojnë si po shkon hapja dhe që do të tregojnë nëse kemi nevojë për një rikthim mbrapa”, tha Rakacolli.