Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka deklaruar nga selia blu se kryeministri Rama e dinte se kush ishte Valdrin Pjetri që në kohën kur inauguroi hotelin me paratë e drogës në Tiranë dhe tani hiqet sikur do të lajë duart me të dhe ta trajtojë si një rast individual, ndërsa denoncoi “listën e zezë” të tij për 17 kryebashkiakë të zgjedhur më 30 qershor. Por sipas Bashës, kjo është përgjegjësi e Edi Ramës, pasi ai e dinte se kush ishte Valdrin Pjetri që e vuri kandidat për Kryetar të Bashkisë Shkodër dhe se lidhja e tij me Ramën është një lidhje e përhershme.
Por, çështja qëndron se Valdrin Pjetri nuk u promovua nga Rama, por ai për herë të parë shkeli në administratën shtetërore në vitin 2010, i emëruar pikërisht nga qeveria Berisha, pjesë e të cilës ishte edhe Basha, i cili mbante funksionin e ministrit të Brendshëm, ministri kryesor që ka të gjithë informacionet kriminale që mund të vinin nga Italia, ku pretendohet se Valdrin Pjetri ka qenë i dënuar për drogë. Por, në atë kohë, Valdrini arriti të marrë certifikatën e sigurisë dhe Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, me në krye Bashën, nuk kishte raportuar ndonjë informacion për dënimin e tij në Itali për drogë.
Tani që këto fakte janë denoncuar nga PD dhe pritet të verifikohen nga prokuroria, pyetja është: A e dinte Lulzim Basha në vitin 2010 se Valdrin Pjetri ishte i dënuar për drogë në Itali? Përgjigja normalisht sot do të ishte se nuk e dinte, pasi ndryshe do të ishte një fshehje që përbën vepër penale, ndërsa historia e Bashës të ngre shumë dyshime, duke sjellë në vëmendje një fakt shumë të thjeshtë.
Më 4 korrik 2019, vetëm pak ditë pas zgjedhjeve të 30 qershorit, ish themeluesi i PD, nga studio e Real Story të Sokol Ballës, ka bërë një deklaratë të fortë, duke thënë se Basha i ka ditur përgjimet para marrëveshjes së 17 majit në vitin 2017. “Një pjesë të përgjimeve i ka ditur Basha. I ka ditur ato përgjime para marrëveshjes së 17 majit. Unë e di që ka pasur përgjime problematike, por e di në parim, çështjet që janë publikuar të Dibrës. E ka thënë në çadër. Kurse rastin e Durrësit, sipas informacioneve që unë kam, dosjen e Durrësit e ka pasur të zbardhur. Unë i kam marrë vesh para një viti e gjysmë, pasi i kam shkëputur marrëdhëniet me të. Unë e di që Basha ka marrë një person në telefon e i ka thënë që kam një dosje. E ka pyetur se çfarë u bë me dosjen, i ka thënë e kam humbur”, tha Imami në Real Story.
Por veç Arben Imamit, njëkohësisht që Basha doli duke sulmuar Ramën për Valdrinin, Jozefina Topalli, një tjetër eksponent i rëndësishëm i PD, e sulmoi Bashën, duke lënë të kuptojë se kreu e PD e ka ditur për Valdrin Pjetrin edhe më herët. “Në Shkodër, qytetarët prej disa muajsh, tregojnë për dyshimet e thella të së kaluarës të komprometuar të Valdrinit. Por ti për muaj nuk fole. Ashtu siç nuk fole për vite për Mark Frrokun e kompaninë e tij. Ti Lul nuk mbulon dot shpartallimin që i bëre PD me vendimet tuaja personale antidemokratike, që i more vetëm për të mbrojtur karrigen tënde”, u shpreh ashpër Topalli.
Këto tregojnë se Basha, shumë informacione po i zbulon vetëm për interesa politikë dhe jo të qytetarëve, madje, qeveria e PD, ku ishte pjesë kryedemokrati, e emëroi Valdrin Pjetrin (nuk pati nevojë ta zgjidhte me votën e popullit), në krye të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, e krijuar në zbatim të Ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. Kjo agjenci, deri më sot njeh sukseset më të mëdha pikërisht në sekuestrimet e parave që mendohet se kanë ardhur nga droga, pra pikërisht nga aktivitetet e paligjshme për të cilat akuzohet nga PD Valdrin Pjetri në Itali. Madje, bashkëpunimi institucional i Valdrin Pjetrit ka qenë tejet i fortë me ministrin Basha, për shkak të funksioneve. Megjithatë, ndoshta për rastin e Valdrin Pjetrit nuk do të rezultojë ashtu siç rezultoi për përgjimet që Basha i dinte shumë kohë më herët. / Realstory