Ish-Presidenti Donald Trump tashmë ka një fotografi si i dyshuar dhe një numër identifikues, për shkak të disa aktakuzave penale kundër tij. Por zoti Trump mohon plotësisht se ka bërë ndonjë shkelje dhe disa nga anketat e publikuara tregojnë se, deri më tani, atë nuk po e braktisnin përkrahësit e tij.
Në fakt, shumë nga kandidatët në garën paraprake për të siguruar emërimin zyrtar të Partisë Republikane, thonë se do ta mbështesin zotin Trump, nëse ai do të zgjidhet si kandidati republikan për president.
Njëri nga ata, është zoti Vivek Ramaswamy, që deklaroi në emisionin “Kjo Javë” të televizionit amerikan ABC se ai mbështetë zotin Trump edhe nëse nuk pajtohet me disa nga veprimet e tij gjatë kohës kur ishte president.
“Mendoj se shumë nga këto raste kundër zotit Trump janë plotësisht përndjekje të politizuara përmes prokurorisë. Kjo vendos një shembull të tmerrshëm për shtetin tonë. Nuk dua që të bëhemi si Republikan e Bananave, ku pjesa administrative e shtetit përdorë forcën policore për të eliminuar rivalët nga gara”, thotë ai.
Premtimet për mbështetje që kandidatët republikanë i bënë zotit Trump, u kritikuan fuqishëm nga Senatori demokrat Tim Kaine, në një intervistë dhënë televizionit ABC.
“Nëse nuk je i gatshëm të thuash se sjellja e zotit Donald Trump – që ka provuar të pengojë kalimin paqësor të pushtetit – është sjellje skualifikuese, a e meriton të zgjidhesh, nëse premton se përkundër kësaj do të votosh për të, apo se do ta falësh?”, thotë ai.
Ndërsa po afron sezoni zgjedhor në Shtetet e Bashkuara, guvernatori i Nju Hempshir, Chris Sununu, që u intervistua në emisionin “Takim me Gazetarët” të televizionit NBC, ndau disa këshilla me republikanët të cilët, sikur ai, e kundërshtojnë zotin Trump dhe shqetësohen për disa epërsi politike që demokratët tashmë po i fitojnë në nivelin lokal në disa shtete, përfshirë shtetin e tij.
“Nuk duhet personalizuar çështjet. Bën ato që janë në interesin e banorëve që u shërben, pavarësisht partisë që i takojnë. Për nga botëkuptimi, unë jam konservativ në aspektin fiskal dhe dua të mbështes idealet republikane, por kjo nuk do të thotë se duhet të lakojmë dhe thyejmë rregullat”.
Edhe pse aktualisht vëmendja është përqendruar në garën e mundshme presidenciale mes zotit Trump dhe Presidentit aktual Biden, një kandidat i tretë mund ta ndryshonte garën. Ish-Guvernatori republikan i shtetit Merilend, Larry Hogan u pyet për ambiciet e tij politike gjatë emisionit “Përballë Kombit” të televizionit CBS.
“Nuk e kam mbyllur akoma derën në atë drejtim. Nëse mendoj se mund të fitojmë; që kemi ekip të fuqishëm; që ata dy kandidatë janë të dobët; mbase mund të provojmë të bëjmë diçka që nuk është bërë kurrë”, thotë ai.
Analistët theksojnë se ka më shumë se një vit deri në zgjedhjet e ardhshme dhe se votat e amerikanëve mund të ndikohen nga faktorë të tjerë përtej problemeve ligjore të zotit Trump dhe moshës së shtyrë të zotit Biden./VOA