Dritan Abazoviç, i cili tashmë mban postin e kryeministrit teknik deri në krijimin e një qeverie të re, ka deklaruar se Parlamenti duhet të votojë iniciativën për shkarkimin e presidentit Milo Gjukanoviç.
Sipas tij një akt i tillë dërgon një një mesazh të rëndësishëm politik.
“Ne kemi qenë peng të një njeriu për 30 vjet. Pas tridhjetë vitesh qeverisje, jo gjithçka shkon mirë. Mendoj se duhet ta votojmë këtë iniciativë dhe në këtë mënyrë parlamenti dërgon një mesazh të qartë se çfarë mendon për presidentin e vendit. Tani jemi një mazhorancë e sapokonstituuar, e cila mbështet krijimin e një qeverie të re, por ajo është mjaft e larmishme me subjekte të ndryshme politike, me vizione të ndryshme. Por ne duhet ta përpunojmë”, tha Abazoviç.
Deputetët e shumicës parlamentare, Frontit Demokratik pro-rus, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA kanë nisur në Kuvendin e Malit të Zi, më 23 shtator, procedurën për shkarkimin e presidentit, Milo Gjukanoviç.
Ata pretendojnë se Gjukanoviçi ka shkelur Kushtetutën gjatë procedurës për emërimin e mandatarit për formimin e Qeverisë.
Pas rrëzimit të qeverisë së Abazoviçit, më 20 gusht, tri partitë që fituan shumicën në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi ranë dakord që Miodrag Lekiç të jetë mandatar për përbërjen e Qeverisë së re. Por, ato nuk i dorëzuan nënshkrimet e 41 deputetëve.