Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka përfunduar hetimet për ish-kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla dhe për 10 ish-zyrtarët e tjerë të bashkisë, mes tyre dhe biznesmenë.
Ish-kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla është marrë i pandehur për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre. Ai akuzohet për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Nga hetimet ka rezultuar se për shtetasin nën hetim Lefter Alla, në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë dhe punonjësit e tjerë, si specialiste të prokurorimeve, anëtarët e KVO, kanë favorizuar kompanitë “Egland Sh.p.k” dhe “BE-IS” Sh.p.k për marrjen e një tenderi me vlerë 322.439.000 lekë të reja, për ndërtimin e ujësjellësit të rrjetit të KUZ, Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë.
Funksionarët e Bashkisë kanë krijuar avantazhe për dy subjektet e mësipërme gjatë procedurës së prokurimit. Gjithashtu SPAK ka dyshime të arsyeshme të bazuara, se punimet janë kryer nga OE 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë.
Pra, Lefter Alla dhe vartësit e tij favorizuan kompanitë “Egland Sh.p.k” dhe “BE-IS” Sh.p.k që të fitonin tenderin miliona lekë, dhe punimet në fund i kreu kompania 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë.