Pas dy grabitjeve të bujshme, aeroporti i Rinasit ndryshon drejtor. Duke nisur nga 2 shtatori menaxhimi i aeroportit të vetëm në Shqipëri do të bëhet nga Constantin von Alvensleben i cili është caktuar në postin e drejtoritë të Përgjithshëm Ekzekutiv të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA). Lajmi është publikuar në faqen zyrtare të TIA-s ku bëhet me dije se Alvensleben do të udhëheqë ekipin menaxhues të TIA-s, duke mbikëqyrur strategjinë e zhvillimit të kompanisë dhe biznesit, marrëdhëniet me qeverinë dhe palëve të interesit.
Alvensleben është një ekzekutiv me shumë përvojë nga Gjermania, me një karrierë të gjerë ndërkombëtare në zhvillimin dhe menaxhimin e aeroporteve. Ai ka mbikëqyrur projektet kryesore të zhvillimit të aeroporteve ndërkombëtare, duke përfshirë vendet e CIS, Europës Lindore dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ka menaxhuar gjithashtu procese të mëdha blerjesh dhe ofertash të aeroporteve ndërkombëtare në Indi dhe Australi.
Constantin von Alvensleben ka punuar edhe më parë në Shqipëri. Në vitin 2006 – 2007, ai ishte Shef Ekzekutiv i TIA. Në fund të mandatit të tij, TIA arriti një numër prej 1.2 milion pasagjerësh dhe një qarkullim prej 23 milion EUR. Richard Hu, Kryetari i Këshillit Administrativ të TIA, tha: “Ne jemi të kënaqur të mirëpresim përsëri Constantinin në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Ai sjell me vete një përvojë shumë të rëndësishme në aeroporte, zhvillimin e infrastrukturës, kredenciale të larta lidershipi, si dhe një përvojë të pasur pune në tregjet ndërkombëtare dhe menaxhimin e projekteve të mëdha gjatë gjithë karrierës së tij. Me këtë sfond të gjerë në infrastrukturë dhe ndërtim, përvojë të dëshmuar të udhëheqjes dhe familjaritet me operacionet në Shqipëri, Constantini është i pozicionuar mirë për të udhëhequr TIA-n në fazën e saj të ardhshme të rritjes, duke garantuar gjithashtu se siguria do të jetë gjithnjë një nga prioritetet kryesore të TIA-s”.
Constantin von Alvensleben tha: “Jam i lumtur që kthehem si Drejtor Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës në një moment sfide. Numri i pasagjerëve dhe fluturimet ndërkombëtare po rriten ndërsa turizmi në Shqipëri vazhdon të lulëzojë. Jam i prirur të udhëheq ekipin gjatë kësaj periudhe rritjeje të jashtëzakonshme”.