Mbretëria e Bashkuar është bërë vendi i parë në botë që ka miratuar një pilulë antivirale kunder COVID-19 të zhvilluar bashkërisht nga Merck dhe Ridgeback Biotherapeutics.
Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA) rekomandoi të enjten që ilaçi, molnupiravir, të përdoret sa më shpejt që të jetë e mundur pas një testi pozitiv për COVID-19 dhe brenda pesë ditëve nga fillimi i simptomave, duke cituar të dhëna klinike.
Ky është trajtimi i parë antiviral oral për COVID-19 që është miratuar, duke shënuar një nxitje në luftën kundër pandemisë, me dritën jeshile që vjen përpara miratimit të mundshëm rregullator në Shtetet e Bashkuara. Këshilltarët amerikanë do të takohen këtë muaj për të votuar nëse molnupiravir duhet të autorizohet.
Trajtimet për pandeminë, e cila ka vrarë më shumë se 5.2 milionë njerëz në mbarë botën, deri më tani janë fokusuar kryesisht në vaksinat. Opsione të tjera, duke përfshirë remdesivirin antiviral të Gilead-it dhe deksametazonin steroid gjenerik, jepen përgjithësisht vetëm pasi pacienti të jetë shtruar në spital.
Molnupiravir-i i Merck është vëzhguar nga afër që kur të dhënat muajin e kaluar treguan se mund të përgjysmojë shanset për të vdekur ose për t’u shtruar në spital për ata që janë më të rrezikuar nga zhvillimi i rëndë i COVID-19 kur jepet në fillim të sëmundjes.
Sipas ekspertëve ajo është e këshilluar për personat që kanë një faktor rreziku të tilla si obeziteti , sëmundje të zemrës, diabet ose përgjithësisht një moshë të vjetër.
Administrimi rekomandohet sa më shpejt që të jetë e mundur pas një testi pozitiv, dhe në çdo rast brenda pesë ditëve.