Agresioni rus në Ukrainë: Pesë arsyet pse Putini nuk do të ndalet

BOTA


Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi në përgjithësi, po e shtojnë ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës, duke pasur shpresa të mëdha se kjo e fundit mund ta kthejnë luftën në anën e saj, dhe ta detyrojë presidentin rus Vladimir Putin të ndalë më në fund sulmin e tij brutal. Por Putini nuk do ta bëjë këtë, për 5 arsye kryesore. 

1. Pasi ka pushtuar 20 për qind të territorit të Ukrainës, Putini beson se ka imponuar një pikë kthese, si në fushën e betejës, po ashtu edhe jashtë saj.


Forcat ruse pushtuan plotësisht në fund të qershorit qytetin strategjik Severodonjeck, dhe të dielën e kaluar edhe qytetin Lisiçansk në rajonin e Donbasit, duke vendosur nën kontroll të plotë “zemrë”n industriale të Ukrainës, ku ndodhen fabrikat e mëdha të prodhimit të hekurit dhe çelikut, dhe rezervat e qymyrit dhe mineraleve me cilësi të lartë.

Pas krijimit të një korridori tokësor midis Krimesë, të cilën Moska e aneksoi në vitin 2014, dhe Rusisë, Putini po bllokon qasjen e Ukrainës në portet e saj detare, duke e asfiksuar ekonominë ukrainase nëpërmjet pengimit të eksportit të drithërave me anije tregtare.

Në kushtet kur kanë mbetur edhe 3 muaj të tjerë para përkeqësimit të kushteve në fushën e betejës për shkak të motit, Putini mendon se mund të arrijë më shumë përfitime strategjike, duke vazhduar ta degradojë infrastrukturën dhe aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur. Në përputhje me doktrinën e Putinit të “dominimit të përshkallëzuar”, Rusia po i shton bombardimet me raketa anembanë Ukrainës, ndërsa Uashingtoni po rrit shtrirjen dhe shkallën e armatimit të premtuar ndaj Kievit. 

2. Putini beson se sanksionet ekonomike ndaj Rusisë kanë dështuar, dhe Perëndimi po përballet me rritjen e çmimeve të naftës dhe gazit, si dhe me mungesa ushqimore.

Sanksionet e paprecedenta ekonomike të vendosura ndaj Rusisë nga ana e Perëndimit, jo vetëm që nuk e kanë shkatërruar ekonominë ruse, por e kanë forcuar atë. Fitimet e Rusisë nga nafta janë madje më të larta se më parë, dhe rubla ka arritur nivelin e saj më të fortë në 7 vjet, duke i dhënë mundësi Putinit të vazhdojë financimin e makinerisë së tij të luftës.

Ekonomia gjermane po përballet me një kolaps të mundshëm, duke tërhequr ndoshta me vete edhe pjesën tjetër të Europës, duke racionuar përdorimin e gazit si rezultat i reduktimit të furnizimeve nga Rusia. Ndërkohë, edhe ekonomia amerikane është në prag të recesionit.

Është folur shumë për dështimin e Rusisë në pagimin e borxhit të saj të jashtëm, diçka kjo që ndodh për herë të parë që nga viti 1918.

Por Putini ka të ngjarë të mos shqetësohet shumë për këtë gjë. Në fakt Moska dërgoi një pagesë, por çështjet e pajtueshmërisë në lidhje me sanksionet e penguan realizimin e pagesës. Për më tepër, Putini e di se mospagimi dëmton më shumë huadhënësin sesa huamarrësin.

3. Pavarësisht shfaqjeve publike të udhëheqësve amerikanë dhe europianë në mbështetje të Kievit, Putini e ndjen se lodhja nga lufta po fillon të përhapet me shpejtësi në Perëndim.

Thuhet se zyrtarët e administratës së presidentit amerikan Joe Biden, po e humbasin besimin në aftësinë e Ukrainës për ta fituar luftën, dhe po diskutojnë privatisht mundësinë që presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski t’i japë Putinit disa nga territoret e pushtuara.

4. Brenda 3 muajsh, Putini do të jetë në gjendje t’u shkaktojë edhe më shumë probleme europianëve me “sulmet e tij energjitike”, duke fituar një aftësi më të madhe për ta zbehur ndihmën e Perëndimit ndaj Ukrainës.

Kur temperaturat të nisin të bien dhe Europa Perëndimore të fillojë të dridhet nga i ftohti, edhe mbështetja ndaj përballjes me Rusinë do të bjerë ndjeshëm, beson presidenti rus. Ndërprerja e furnizimit me gaz për t’i detyruar liderët europianë të braktisin mbështetjen e tyre për Ukrainën, është një mjet standard në manualin e Putinit.

Njëkohësisht, Shtetet e Bashkuara do të jenë të zëna me zgjedhjet e mesit të mandatit, duke e bërë Ukrainën shumë më pak prioritet për Uashingtonin. Shërbimet e inteligjencës së Putinit, po monitorojnë nga afër çështjet e brendshme të SHBA-së, duke u ndalur në çështje të diskutueshme, siç është vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë mbi abortin, kontrollin e armëve dhe protestat që kanë përfshirë vendin.

Ka të ngjarë që Putini t’i udhëzojë shërbimet e tij sekrete që të organizojnë dhe drejtojnë fushata ndikimi, duke thelluar mosmarrëveshjet dhe shpërqendrimet që rrjedhin prej saj, përmes mediave sociale dhe operacioneve klandestine, siç ka bërë shpesh në të kaluarën.

Po ashtu, presidenti rus planifikon që të godasë SHBA-në me sulme kibernetike, në shenjë hakmarrjeje për saksionet. Kjo frikë konfirmohet nga Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës së SHBA-së. Këto sulme synojnë të shkaktojnë kaos, dhe ta detyrojnë Uashingtonin të mos e ketë më Ukrainën në qendër të vëmendjes.

5. Rezultati i konfliktit në Ukrainë është një çështje ekzistenciale për Rusinë.

Vladimir Putini e shpalli Ukrainën si një “vijë të kuqe” për zgjerimin e NATO-s. Sepse pavarësisht nëse është e justifikuar apo jo, Rusia e sheh këtë vend si pjesë të perimetrit të saj strategjik të sigurisë. Me pranimin e shteteve baltike nga NATO, distanca midis forcave të NATO-s dhe Rusisë është reduktuar nga 1600 km gjatë Luftës së Ftohtë në vetëm 160 km sot, duke e bërë të papranueshëm rrezikun e të pasurit kaq afër kufijve të Rusisë një aleancë ushtarake kundërshtare.

Moska ka qenë gjithnjë dyshuese për politikën amerikane të promovimit të demokracisë dhe forcimit të NATO-s, sidomos pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Putin beson se politika e SHBA-së për demokratizimin e asaj që Rusia e sheh si sferën e saj të ndikimit, do të vazhdojë më tej, pavarësisht se kush e drejton në Shtëpinë e Bardhë.

Një raport i deklasifikuar i shërbimeve sekrete, thotë e politika afatgjatë dypartiake e SHBA-së ka si synim kryesor parandalimin e “një fuqie të vetme armiqësore”, siç është Rusia, “nga dominimi i territoreve euroaziatike”, dhe “të ndihmojë kur është e mundur lëvizjet demokratike dhe nacionaliste në luftën kundër regjimeve totalitare”. 

Ky raport, por edhe raporte të ngjashme nga institutet studimore perëndimore, si dhe deklaratat e hapura nga zyrtarë të administratës Biden rreth qëllimit të Uashingtonit për ta dobësuar Rusinë ekonomikisht dhe ushtarakisht, e justifikojnë sipas Putinit, luftën kundër Ukrainës.

Për sa kohë që Rusia e mban gjallë këtë konflikt, edhe nëse ai kthehet në një betejë të stërzgjatur që synon sa më shumë shkatërrime, atëherë qëllimi strategjik i Rusisë për të mbajtur Ukrainën jashtë NATO-s, përmbushet për shkak të faktit se Ukraina nuk përmbush një nga kërkesat kryesore për anëtarësim, mungesën e territorit, mosmarrëveshjet dhe konfliktet e vazhdueshme. 

Kjo trajektore e kësaj lufte, me peizazhin e saj të ndryshimit të fushëbetejës, ka rezultuar e vështirë të parashikohet. Por një gjë është e sigurt Putini nuk do që ta ndalë atë./ Rebekah Koffler – Përktheu: abcnews.al 

Shënim: Rebekah Koffler, ish-zyrtare e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes në SHBA, autore e librit “Manuali i Putinit: Plani sekret i Rusisë për të mposhtur Amerikën”.




Skip to toolbar