Zëvendës Kryeministri Arben Ahmetaj i ka shprehur mirënjohjen Komisionit Europian për disbursimin e transhit të dytë dhe të fundit prej 90 mln euro të paketës 180 mln euro të Asistencës Makro-Financiare për Shqipërinë.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, ndër të tjera ai shkruan:
“Mirënjohës Komisionit Europian për disbursimin e transhit të dytë dhe të fundit prej 90 mln euro të paketës 180 mln euro të Asistencës Makro-Financiare për Shqipërinë, që synon të nxisë rimëkëmbjen ekonomike dhe frenimin e impakti negativ në ekonomi të shkaktuar nga pandemia e Covid-19.
Në mars 2021 Shqipëria përfitoi pagesën e parë prej 90 mln euro, ndërsa KE vlerëson se vendi ynë i ka përmbushur të gjithë kriteret e dakordësuara me BE për disbursimin e shumës së plotë të angazhuar, përfshirë masat për konsolidimin e financave publike, garantimin e qëndrueshmërisë së sektorit financiar, përmirësimin e qeverisjes, lufta kundër korrupsionit dhe rritja e mbështetjes sociale.
Programi është një tjetër shprehje e solidaritetit të Bashkimit Europian ndaj vendeve partnere dhe kandidate, nga i cili përfitojnë 10 shtete mes të cilëve Shqipëria. Ne po vijojmë intensivisht punën me KE për implementimin në kohë të programeve dhe politikave të dakordësuara në kuadër të kësaj pakete.”, nënvizon Ahmetaj