Të rinjtë që ndjekin studimet e larta në Tiranë dhe që janë pajisur me kartën e studentit mund të udhëtojnë më lirë me “Air Albania”. Bashkia e Tiranës dhe kompania e shqiptare “Air Albania” nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, e cila siguron lehtësira financiare për studentët që udhëtojnë jashtë shtetit. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falenderoi kompaninë ajrore që iu bashkua subjekteve dhe institucioneve private ose publike, që ofrojnë shërbime me kosto të ulta ose falas për studentët e pajisur me kartën e studentit.
“Sot kemi një super lajm për të gjitha vajzat dhe djemtë studentë në Tiranë, të cilët e kanë marrë tashmë kartën e studentit. Po marrin shërbime në tokë, por nga sot do të marrin shërbime edhe për fluturime ajrore. Duam shumë që studentët shqiptarë të përfitojnë nga ky liberalizim i tregut ajror, ndaj jam shumë i lumtur që çdo student i qytetit të Tiranës, që ka kartën e studentit, duke prerë biletën me ‘AirAlbania’ merr automatikisht 20% ulje për udhëtimet dhe destinacionet ku fluturon ‘AirAlbania’”, tha Veliaj, i cili shtoi se deri më tani numri i kartave të shpërndara ka shkuar në 25 mijë.
Kryebashkiaku tha se kjo është një mundësi shumë e mirë për studentët, si për ata që udhëtojnë për qëllime studimore, ashtu edhe për ata të tjerët që duan të njohin kultura dhe shkëmbejnë eksperienca me vendet fqinje, ku kjo kompani operon aktualisht, apo edhe në vendet e tjera ku ajo do të shtrijë aktivitetin e saj në vijim. “Është një mundësi që sa më shumë studentë të udhëtojnë dhe të kuptojnë që shumë prej gjërave që po bëjmë në Tiranë, po ndodhin edhe në qytete të tjera, si korsitë e biçikletave apo pemët. Asgjë që po bëjmë këtu nuk është shpikje e jona. Por, si bëhen këto? Duke parë eksperienca të ndryshme, duke pasuruar veten me kultura të vendeve të tjera dhe pastaj, duke qenë më i dobishëm si student, apo si profesionist”, u shpreh Veliaj.
Për të përfituar nga kjo mundësi, por edhe shërbimet e tjera që ofron karta e studentit, Veliaj u bëri thirrje studentëve të tjerë që të aplikojnë pranë pikave që ekzistojnë pranë fakulteteve. “Pikat e shpërndarjes së kartave i kemi në të gjithë territorin, në rektoratet edhe dekanatet e Tiranës, ndaj nxitoni, nxitoni, nxitoni! Kjo është vetëm ulja e 101-të në programin tonë për Kartën e Studentit, dhe do të vazhdojmë çdo ditë me ide të tjera. Por e fundit, por jo më pak e rëndësishme, një nga ofertat më të mira në termat financiarë, sidomos për gjithë studentët që duan të eksplorojnë vendet fqinje, ku fluturon me shumë krenari, është linja jonë kombëtare ‘Air Albania’”, shtoi ai.
Kryebashkiaku theksoi se studentët që janë pajisur me kartë përfitojnë sot më shumë se 100 shërbime me çmime të reduktuara ose falas, përfshi edhe lehtësirat në transportin urban në Tiranë. “Transporti publik është me gjysmë çmimi. Pra, abonetë e studentit nga 16 mijë lekë janë vetëm 6 mijë lekë. Shumë prej shërbimeve publike si galeritë, muzeumet, hapësirat e tjera publike, janë pjesë e këtyre uljeve. Fatmirësisht, na janë bashkuar një pafundësi shërbimesh private, duke ulur shpenzimet që ka një student”, deklaroi Veliaj.
Drejtori i Përgjithshëm i “AirAlbania”, Sinan Dilek, falenderoi Bashkinë e Tiranës për bashkëpunimin, ndërsa theksoi se nëpërmjet kësaj marrëveshje studentët do kenë mundësi të udhëtojnë më lirë në disa destinacione. “Jemi shumë të lumtur që arrijmë këtë marrëveshje me Bashkinë e Tiranës, për t’i dhënë mundësi studentëve, që të kenë 20% ulje për fluturimet me kompaninë tonë, në 4 destinacione, por edhe të tjera që do të shtohen drejt Europës, Turqisë. Ata do të kenë privilegjet që i ofrohen studentëve. Kjo është linja e të gjithëve, dhe falë bashkëpunimit me kryebashkiakun, do të jetë edhe linja e studentëve”, tha Dilek.