Pas kritikave të shumta që kanë ardhur nga të gjitha drejtimet kundër dhënies së çmimit Nobel për letërsinë austriakut Peter Handke i cili njihet si adhurues i Millosheviçit, ka reaguar Akademia Suedeze e çmimeve Nobel.
Sekretari i Akademisë, Mats Malm, ka thënë për New York Times se “nuk është në mandatin e akademisë që të balancojë kualitetin letrar në raport me qëndrimet politike”.
Por edhe gjiganti mediatik botëror CNN, ka kërkuar një reagim nga fondacioni Nobel, i cili është përgjigjur se, “asnjëherë nuk i komentojnë përzgjedhjet e pavaruara të cilat jepen nga institucionet të cilat zgjedhin laureatët për Çmime Nobel”.
Më 10 tetor, akademia prestigjioze e çmimeve Nobel shpërndau çmimet Nobel në Letërsi për vitet 2018 dhe 2019. Çmimi Nobel për dy vitet u është dhënë dy laureatëve, Olga Tokarczuk dhe Peter Handke. Çmimin Nobel në Letërsi për vitin 2018 e ka fituar autorja polake, Olga Tokarczuk, ndërkohë çmimin Nobel për vitin 2019 e ka fituar autori austriak, Peter Handke, i cili njihet si adhurues i Millosheviçit, ku edhe ka qarë në varrin e tij.
Fitorja e Nobelit nga Handke solli një furtunë reagimesh në të gjithë Evropën. Intelektualë, shkrimtarë dhe politikanë u bënë pjesë e debatit dhe u shprehën kundër vendimit të Akademisë që vlerësoi me një çmim kaq prestigjioz një njeri që adhuron gjenocidin dhe dhunën.