Aksident në Itali: Punëtorët përplasen nga disa makina, 1 vdekur dhe 6 të plagosur

AKTUALITET


Një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur në Italinë fqinje, këtë herë në Genova.

Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, 1 person ka humbur jetën ndërsa 6 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Një prej tyre ndodhet në koma. Aksidenti ndodhi rreth orës 07:00 të kësaj të marte, në autostradën A12, mes Rapallo e Chiavari. Sipas të dhënave të para, një furgon në të cilin udhëtonin disa punëtorë, u përplas me murin në anë të rrugës. Pas përplasjes ata zbritën nga mjeti dhe në këtë moment u morën para nga makinat që vinin përballë.

Momentalisht mbeten të paqarta rrethanat sesi furgoni përfundoi duke u përplasur me murin, por mësohet se mjeti doli në kahun e kundërt të rrugës. Dyshimet janë se furgoni nuk u dallua nga mjetet që vinin përballë për shkak të errësirës.

Punëtori që humbi jetën mësohet se pasi u përplas e përfundoi përtokë, u godit nga mjetet e tjera. Dy prej të plagosurve raportohet se janë në gjendje të rëndë. Ndërsa 4 të plagosurit e tjerë, mes të cilëve 2 shoferë makine dhe 2 punëtorë morën dëmtime pa rrezik për jetën.

Të gjithë punëtorët që udhëtonin në makinë ishin me kombësi të huaj, megjithatë identitetet e tyre nuk janë bërë ende publike. Ata mësohet se ishin nisur për në punë kur ndodhi ngjarja e rëndë.

Një ditë më parë, disa aksidente masive të ndodhura në autostradën A22 në Reggio Emilia për shkak të mjegullës së dendur, çuan në vdekjen e një shqiptari dhe plagosjen e rreth 30 personave të tjerë.



Skip to toolbar