Një aksident tragjik që ka lënë pas një viktimë ka ndodhur në aksin Elbasan-Tiranë, vetëm pak metra pa dalë nga tuneli. Viktimë ka mbetur shoferi i automjetit tip Seat, i cili dyshohet se ka bërë një parakalim të gabuar dhe si pasojë është përplasur me një kamion.
Burimet policore thanë ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth 10 metra nga dalja e tunelit, ku një kamion ka përplasur nga pas një autoveturë me targa të huaja. Për shkak se autovetura ka qenë me gaz, ajo ka shpërthyer në flakë, dhe për pasojë ka humbur jetën në vend drejtuesi i mjetit.
Burimet policore thanë se automjeti tip Seat është gjetur me dyer të hapura, që sipas hetimeve mendohet se shoferi ka tentuar të dalë nga makina, por nuk ia ka dalë. Pasi policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, viktima është transportuar drejt morgut. Po ashtu, policia ka shoqëruar shoferin e kamionit dhe po heton në lidhje me zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij aksidenti.