Aksidentet në punë me shifra të frikshme, në 6 muaj vdiqën 25 vetë

AKTUALITET


Aksidenti gjatë punës në një pallat në Tiranë, ku si pasojë e rrëzimit të skelës humbën jetën dy punëtorë, ka nxjerrë në pah shifra të frikshme sa i përket pasojave nga incidente të tilla. Inspektorati Shtetëror i Punës bën me dije se në gjashtë muajt e parë të vitit 2019 janë regjistruar 99 aksidente në punë dhe 25 punëtorë kanë humbur jetën.

Këtë shifër e ka bërë publike kreu i Inspektoratit Shtetëror të Punës, Arben Seferaj gjatë një deklarata për mediat, ndërsa foli edhe për tragjedinë e ndodhur pak ditë më herët në kryeqytet, ku dy punëtorë humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosën. Seferaj, ndërsa publikoi fakte tronditëse të shifrave të punëtorëve që kanë humbur jetën në punë për gjatë 6 muajve të fundit, tha se sektori më i rrezikshëm është ai i ndërtimit.

“Inspektorati i punës ka vlerësuar sektorin e ndërtimit si sektor me risk shumë të lartë për humbje jete. Kontrollet duhet të intensifikohen për të parandaluar ngjarje të tilla. Jemi në proces hetimi ndaj 2 kompanive për aksidentin e fundit në punë. Nga viti 2015 subjekti “Xhimi” nuk ka asnjë inspektim. Ndërsa “Syla” është inspektuar 16 herë, i janë lënë vazhdimit detyra për të realizuar që lidhen me sigurinë dhe 1 herë i është vënë gjobë. Punëtorët që humbën jetën ishin të siguruar”, është shprehur Seferaj.

Lidhur me inspektimet, Seferaj tha se janë hetuar 114 subjekte gjithsej. “Masat e ndërmarra janë 29 dënime administrative dhe 34 gjoba. Jemi të vendosur për objektivat për të ndikuar sigurinë dhe shëndetin në punë. Po propozojmë paketë në kuadër ligjor për legjislacionin e punës për aksidentet ne punë. Duam përmirësimin e situatës dhe iu bëjmë apel punëdhënësve të rregullojnë dhe zbatojnë rregullat e punëdhënies. Paketa ka të bëjë me ndryshime ligjore, ku do të ashpërsohen masat për shkeljet ligjore për shëndetin dhe sigurisë në punë. Do të funksionojë në bazë të denoncimeve. Do të marrin masa akoma më të mëdha dënimi”, ka thënë  ai.



Skip to toolbar