Aksidenti me 2 të vdekur, flet eksperti: Kamera në çdo rrugë dhe ndëshkim më i ashpër për shoferët

AKTUALITET


Aksidentit tragjik në ditët e para të vitit, që ndodhi në zonën e Porcelanit tronditi opinionin publik. Nga përplasja fatale e 2 mjeteve humbën jetën 2 këmbësorë, të cilët gjendeshin në trotuar, Erjon Balla, 36 vjeç, dhe Hidajete Salliu, 73 vjeç.

Në lidhje me këtë ngjarje ka folur edhe eksperti i Sigurisë Rrugore, Fisnik Ziçishti, i cili në një prononcim për “News24” thotë se nisur nga pamjet e kamerave të sigurisë, të 2 mjetet që shkaktuan aksidentin kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Eksperti i sigurisë rrugore vëren se në zonë mungojnë sinjalistikat që të detyrojnë drejtuesit e mjeteve të ulin shpejtësinë apo sinjalistikat paralajmëruese që të njoftojnë se ka kthim në rrugët dytësore apo ka vendkalim për këmbësorët.

Problematike Ziçishti sheh dhe ndarjen e kësaj rruge në 3 korsi, çka bën që drejtuesit e mjeteve që janë në ngjitje të detyrohen të shkelin vijën e pandërprerë, nëse duan të parakalojnë.

Si zgjidhje për uljen e numrit të aksidenteve Ziçishti shikon monitorimin e çdo aksi me kamera dhe ndëshkimin e rreptë të shkeljeve në mënyrë që drejtuesit e mjeteve të ndërgjegjësohen për përgjegjësinë që duhet të kenë, kur vendosin të drejtojnë një makinë.

Gjatë vitit që lamë pas 218 persona humbën jetën, si pasojë e aksidenteve rrugore. Vetëm në 4 ditët e para të këtij viti 3 njerëz humbën jetën në aksidente, vetëm në kryeqytet.



Skip to toolbar