Drogë e prostituta, pranga menaxherëve e këngëtarit

AKTUALITET


Tre persona kanë përfunduar në prangat e policisë së Shkodrës në kuadër të një operacioni të koduar “Klubet e Natës”.  Të arrestuarit janë dy menaxherë lokali dhe një këngëtar 57 vjeçar, ndërkohë që është shpallur në kërkim pronari i lokalit.

“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se të gjithë këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë kanë shitur dhe shpërndarë lëndë narkotike kokainë, kanë vënë në dispozicion ambientet e lokalit për përdorimin e drogave dhe për ushtrim prostitucioni”, sqaron policia.

Operacioni u zhvillua nga DVP Shkodër, në bashkëpunim më forcat speciale RENEA, pas hetimeve proaktive disamujore.

Pronari i lokalit i shpallur në kërkim, kishte vënë në dispozicion ambientet e lokalit për përdorimin e drogave dhe ushtrim prostitucioni. Gjithashtu në pranga ranë dy menaxherët e klubit dhe një shtetas tjetër, të cilët në bashkëpunim me pronarin e klubit kanë shpërndarë dhe shitur lëndë narkotike kokainë. Në pranga ranë shtetasit:

-A. V, 29 vjeç, menaxheri i klubit, lindur dhe banues në Shkodër, i dënuar më parë për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

-G. M., 27 vjeç, menaxher i klubit, lindur dhe banues në Shkodër, i arrestuar më parë për të njëjtën vepër penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, në bashkëpunim”.

-Z. J., 57 vjeç, këngëtar në klub, lindur në Muriqan e banues në Shkodër.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim policor e pronarit të lokalit, shtetasit E. M., si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit Ç. P., 33 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër (klient) dhe L. S., 31 vjeçe, banuese në Shkodër (balerinë).

Në momentin e kontrollit, Policia ka sekuestruar një sasi të vogël lënde narkotike kokainë dhe sende të tjera që shërbejnë për përdorimin e lëndëve narkotike, 5 aparate celular dhe dokumentacionin e lokalit ku ushtrohej ky aktivitet.

Materialet referohen në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale ‘’Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’’ në bashkëpunim, ‘’Përshtatja e lokalit për përdorim droge’’, ‘’Prostitucioni’’, ‘’Mbajtja e lokaleve për prostitucion’’ dhe ‘’Fshehja e të ardhurave’’.



Skip to toolbar