Rrjeti televiziv CNN tha të martën se po pezullon për një afat të pacaktuar gazetarin Chris Cuomo pasi dolën në pah detaje se ai kishte ndihmuar vëllanë e tij, ish-guvernatorin e Nju Jorkut, Andrew Cuomo, ndërsa ai përballej me akuza për ngacmim seksual.
CNN tha se dokumentet e lëshuara nga prokurorja e përgjithshme e Nju Jorkut të hënën tregonin për një rol më të madh të tij në ndihmë të të vëllait nga sa ishte në dijeni televizioni më parë.
“Si rezultat i kësaj, ne e kemi pezulluar Chris-in për një afat të pacaktuar, në pritje të vlerësimit të mëtejshëm,” tha rrjeti televiziv.
Gazetari i CNN-it kishte kërkuar informacion nga disa burime mbi akuzueset e vëllait të tij dhe ia kishte kaluar informacionin personelit të guvernatorit, si edhe kishte qenë aktiv në hartimin e përgjigjeve ndaj akuzave, sipas e-maileve dhe një transkripti të dëshmisë së tij përpara hetuesve që punojnë për Prokuroren e Përgjithshme të shtetit, Letitia James.
Zoti Cuomo e kishte pranuar më parë se kishte folur me vëllanë e tij dhe e kishte këshilluar kur guvernatori u përball me akuzat për ngacmim që çuan në dorëheqjen e tij. Por informacioni i publikuar më 29 nëntor zbuloi shumë më tepër detaje rreth asaj që ai kishte bërë.
Andrew Cuomo dha dorëheqjen në gusht për t’iu shmangur një gjyqi të mundshëm për shkarkimin e tij, pasi një hetim i udhëhequr nga zyra e zonjës James zbuloi se ai kishte ngacmuar seksualisht të paktën 11 gra.
Programi i zotit Cuomo, që transmetohet në orën 21:00 me orën lokale të Nju Jorkut nga e hëna deri të premten, është shpesh emisioni më i ndjekur i ditës në CNN.
Chris Cuomo e kishte intervistuar vëllanë e tij Andrew disa herë në emisionin e tij gjatë dy muajve të parë të epidemisë së COVID-19. Intervistat ishin shumë të ndjekura nga shikuesit, megjithëse shkelnin politikën e CNN-it që zoti Cuomo nuk duhej të raportonte për vëllanë e tij.
Chris Cuomo ishte konsultuar shpesh me ndihmësit e vëllait të tij kur Andrew po përballej me akuzat majin e kaluar dhe ndonjëherë nuk pajtohej me këshillat e tyre.
“Bëhet fjalë për vëllanë tim dhe unë po përpiqem ta ndihmoj atë në një situatë në të cilën ai më tha se nuk kishte bërë asgjë të keqe,” dëshmoi zoti Cuomo korrikun e kaluar para hetuesve të zyrës së prokurores së përgjithshme.
Ai ka thënë se nuk kishte bërë asgjë për të ndikuar tek mbulimi i ngjarjes nga rrjeti i tij.
Cuomo tha gjithashtu se ai kishte kontaktuar gazetarë të tjerë për të marrë vesh nëse ata po shkruanin për vëllanë e tij. Ai e pranoi se nuk e kishte informuar CNN-in se po e bënte një gjë të tillë dhe tha se i karakterizonte veprimet e tij si asgjë të pazakontë për një gazetar.
Kritikët i kanë bërë thirrje CNN-it që të ndërmarrë masa pas publikimit të detajeve.
Cuomo, jurist me profesion, është 13 vjet më i ri se Andrew Cuomo, për të cilin ka thënë se është miku i tij më i mirë. Ata janë djemtë e ish-guvernatorit të Nju Jorkut, Mario Cuomo, i cili shërbeu në atë detyrë nga viti 1982 deri në vitin 1996.