Djali i George Soros, Alex, i ka shkuar në zyrë kreut të shtetit, Ilir Meta, vetëm pak muaj, pasi Meta e akuzoi miliarderin për “deep state” në Shqipëri. Vizita e tij pritej prej kohësh, ndërkohë që edhe vetë kreu i shtetit kishte deklaruar se e kishte ftuar fondacionin e tij për të diskutuar mbi reformën në drejtësi.
Presidenti Meta e ka zhvilluar takimin me djalin e themeluesit të Fondacionit “Soros” George Soros, Alexander Soros, larg kamerave, ndërkohë që në një deklaratë të shkurtër nga Presidenca, e cila konfirmoi takimin, Meta shprehet se takimi është organizuar me kërkesën e fondacionit “Shoqëria e Hapur”. Në këtë takim, Alex Soros shoqërohej nga Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit në Shqipëri, Andi Dobrushi.
“Në takim, Meta i njohu të pranishmit me shqetësimet për kapjen e institucioneve dhe Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Presidenca, por nuk shpjegoi asgjë se cili ka qenë objekti i kërkesës së takimit nga ana e djalit të miliarderit amerikan. Megjithatë, disa muaj më parë, Meta e akuzoi Sorosin për “deep state”, duke u shprehur se “Soros qëndronte pas një komploti të kurdisur prej kohësh për të ushqyer përplasjen civile më 30 qershor, si dhe për të ndikuar reformën në drejtësi”. Komentet e zotit Meta pasuan mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, të cilat ai i konsideron si të paligjshme.
Por si përgjigje ndaj interesimit të Zërit të Amerikës mbi këto akuza, shefja e zyrës së komunikimit të fondacionit “Soros” me seli në Nju Jork, Laura Silber, tha se “Fondacioni Shoqëria e Hapur është krenar për rolin që ka luajtur, krahas Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për të mbështetur reformën në sistemin gjyqësor në Shqipëri, që është një kërkesë e domosdoshme për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian”. Në deklaratën e zonjës Silber thuhet më tej se “karakterizimi që Presidenti Meta i ka bërë kësaj përpjekjeje kaq publike si një komplot, është i çuditshëm. Ne presim që të takohemi në të ardhmen e afërt me Presidentin Meta, në bazë të ftesës që na ka dërguar”, shtoi më tej ajo. Për këtë takim duket se është pritur disa muaj, ndërsa Meta është treguar për të treguar detajet e këtij takimi, ndërsa vetëm një muaj më parë, Meta takoi përfaqësuesin e fondacionit Soros në Shqipëri, në kuadër të një takimi me shoqatat që veprojnë në Shqipëri dhe që janë angazhuar për monitorimin e reformës në drejtësi.