Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24”, duke folur për akuzat e opozitës për ndryshime vendbanimesh, tha se janë spekulime.
Lleshaj u shpreh se shqiptarët sot kanë vetëm adresë elektorale dhe jo fikse se ku banojnë. Sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak të kaosit që ka ndodhur në vend me ndryshimet e vendbanimeve.
Ai shtoi se pas 5 tetorit çdo qytetar mund të verifikojë se ku do të votojë.
“Nga data 5 tetor ju mund ta kontrolloni se ku mund të votoni. Nëse ke pretendim, ngre ankesë. Qytetari mund ta ndryshojë vendbanimin deri 40 ditë përpara votimit. Nuk ka asnjë ndryshim në qendra e votimit. Ka tentativë për të krijuar tym. Rasti i qytetarit që u ankua live në TV është provuar se nuk i është ndryshuar vendbanimi.
Vendbanimi ndryshon vetëm me anë të kërkesës së vetë qytetarit. Shqipëria ka vetëm një adresë, atë elektorale, sepse nuk dimë ku jetojmë, themi jetojmë në Tiranë për shembull. Kjo ndodh, sepse në Shqipëri nuk ka adresë të saktë, ka përshkrim letrar ta themi. Kemi pasur kaos, ndërsa ne po përpiqemi të vendosim gjithçka në hulli. Shqipëria më 1930 ka pasur sistem adresash, kurse sot nuk ka”, u shpreh Lleshaj.
Akuzat për ndryshime të qendrave të votimit, Lleshaj: Nga 5 tetori mund të verifikoni se ku mund të votoni
AKTUALITET22:10 - 01/10/2020