Al-Baghdadi u vra! Trump: Vdiq si qen duke qarë

BOTA


Presidenti Trump konfirmon vdekjen e liderit të ISIS Abu Bakr Al-Baghdadi. Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Trump konfirmoi atë që po aludohej prej orësh në media, për vrasjen e mundshme të Abu Bakr Al-Baghdadi. Al-Bagdadi u vra gjatë një sulmi të ushtrisë amerikane në veri-perëndim të Sirisë të shtunën.

Presidenti Trump tha se forcat amerikane eliminuan një nga terroristët më të rrezikshëm dhe se tani bota është një vend më i sigurt. Trump tha se Al-Baghdadi u vra në një tunel, nga ku po përpiqej t’i shpëtonte sulmit.

“Mbrëmë Shtetet e Bashkuara vendosën drejtësinë. Eliminuam terroristin numër një në botë. Abu Bakr al-Baghdadi është i vdekur. Ai ishte themeluesi dhe udhëheqësi i ISIS. Organizata terroriste më e pamëshirshme dhe e dhunshme në botë. Shtetet e Bashkuara e kanë kërkuar shumë vjet për Bagdadin. Kapja ose vrasja e Bagdadit ka qenë përparësia kryesore e sigurisë kombëtare të administratës time. Ai vdiq si qen, ai vdiq si një frikacak. Udhëheqësi i Shtetit Islamik ishte fshehur në një tunel nga u përpoq të ikte duke qarë dhe duke bërtitur gjatë gjithë rrugës.” tha Trump

Trump falënderoi Rusinë, Turqinë, Sirinë, Irakun e kurdët për ndihmën në mision. Ai tha se kurdët i dhanë informacione të dobishme SHBA.



Skip to toolbar